Princi Harry foli hapur për një cikël “dhimbjesh dhe vuajtjesh” në familjen mbretërore britanike dhe la të kuptohet se është shumë kritik ndaj mënyrës se si e rriti babai i tij, Princi Charles.
Në një intervistë që pritet të nxehë edhe më shumë gjakrat, në podcastin “Armchair Expert” në një bisedë me aktorin Dax Shepard, duka i Sussex-it tha: “Kur bëhet fjalë për prindërimin, nëse kam përjetuar ndonjë formë të dhimbjes ose vuajtjes për shkak të dhimbjeve dhe vuajtjeve që ndoshta babai im ose prindërit e mi kanë përjetuar, do të përpiqem ta prish këtë cikël në mënyrë që të mos e përcjell.”
Princ Harry u shpreh se i ati e rriti atë në mënyrën se si ishte rritur vetë. “E di që është i lidhur me prindërit dhe do të thotë se më ka trajtuar ashtu siç është trajtuar. Kështu që si mund ta ndryshoj unë këtë për fëmijët e mi?”- tha ai.
Harry gjithashtu përshkroi të njëzetat e tij të hershme dhe festat, ndërsa luftonte me përgjegjësitë e të qenit anëtar i familjes mbretërore.
“Unë nuk e dua këtë punë, nuk dua të jem këtu, nuk dua ta bëj këtë, shiko çfarë i bëri mamasë time”, kujton Harry.