Shqipëria dhe Greqia kanë nisur bisedimet për ndarjen e detit. Takimi i parë është mbajtur këtë të hënë në Tiranë në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Për këtë takim të parë të grupit negociator të të dy vendeve, nuk ka pasur asnjë njoftim nga Ministria e Jashtme.
Nisja e negociatave Shqipëri-Greqi u njoftua vetëm në orët e vona të pasdites së kësaj të hëne nga Ministria e Jashtme përmes një njoftimit të shkurtër të shpërndarë për mediat. Sipas deklaratës së MEPJ, raundi i parë i bisedimeve për ‘Detin’ është zhvilluar në mirëkuptim të plotë të përfaqësuesve të të dy vendeve në tryezë.
Sot, me datë 30 prill 2018, u zhvillua në Tiranë raundi i parë i bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare. Takimi u zhvillua në një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese.
Bisedimet për ndarjen e detit nisën vetëm pak ditë pas takimit në Bruksel të Ditmir Bushatit me homologun e tij grek, Nikos Kotzias.