Fundjavën që lamë pas Paoku mundi Panathinaikosin me shifrat e thella 3-0. Në këtë ndeshje shqiptari Ergys Kace luajti për skuadrën e Athinës kundër Paokut të Selanikut, pra kundër ish-skuadrës së tij. Kjo mori vëmendjen e medias, që nuk e la jashtë vëmendjes këtë rast.
Por kanë qenë shokët e skuadrës së Paokut që kanë kërkuar nga klubi që të kthejë Kacen në gjirin e skuadrës nga Selaniku, të bindur se djaloshi shqiptar jo vetëm e meriton, por e ndihmon Paokun të arrijë rezultate të larta.
Paraqitjet bindëse të tij, duket se mund të sigurojnë kthimin si protagonist të mesfushorit në radhët e Paokut, klub ku vitin e kaluar nuk kishte luajtur rregullisht dhe këtë e mendojnë edhe vetë lojtarët e klubit nga Selaniku.
“Kaçe dhe Mystakidis janë familja jonë, jemi të lidhur ngushtë bashkë. Ne e kemi ndjerë mungesën e tyre dhe vështirësitë që kanë kaluar. Të gjithë shpresojmë që të kthehen te PAOK”, ishin fjalët e portierit Aleksandros Paskalakis pas ndeshjes.
Kace ishte pjesë e Paokut në pjesën e parë të sezonit, por në janar kaloi te Panathinaikosi, pasi në radhët e skuadrës nga Selaniku nuk po gjente hapësira për të luajtur. Kurse te skuadra e Athinës ka luajtur rregullisht dhe kjo është pozitive për futbollistin që ka një kualitet të padiskutuar.