Familja Durdaj që humbi djalin 9-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit kanë kallëzuar në SPAK Fatmir Mediun, i cili në atë kohë ka qenë ministër i Mbrojtjes, në qeverinë Berisha.
Zamira Durdaj e ëma e Erit që është mes 26 viktimave të Gërdecit, e ftuar në Shqip në Dritare Tv rrëfeu betejën e saj 13-vjeçare për të vënë në vend drejtësinë për të birin, që sot do të ishte 21-vjeç.
Në bisedë me gazetaren Rudina Xhunga zonja Durdaj tha se një nga arsyet që djali i saj përfundoi në koma, ishte sepse në spital nuk kishte bombola oksigjeni.
“Me Erin kam folur për herë të fundit në spital. Kam komunikuar gjithë natës sepse kështu ishte edhe këshilla e mjekë që të rrinte zgjuar.
Fjala e para që më tha ishte më fal, që lëviza pa leje. Kjo më ka mbetur peng, se si mund të më kërkojë falje një fëmijë.
Atë natë nuk e besoja që do ishte e fundit herë që do e shihja, që do flisja me të. Kisha besim që do të jetonte, sepse nuk kishte plagë në trup. Trupin e kishte të rregullt, të padjegur por kishte një plagë të madhe në kokë. Kur në listën e ilaçeve pashë që kishte morfinë, u tremba.
Ai duhej të nisej për në Itali për t’u trajtuar. Nga dhoma në ambulancë i duhej bombol oksigjeni, por nuk kishte për të gjithë. Ai aty kaloi në koma.
Plaga u thellua dhe helmi shkoi deri në mushkëri. Në Itali bëri 3 operacione dhe nuk ia doli. Nuk i humba shpresat asokohe, sepse e dija që do të shkonte për një trajtim të specializuar. Zotit ia fal, njeriut jo”, tha Durdaj në Dritare Tv.