Fitorja e parë për kampionin e botës në fuqi në këtë sezon të Formulës 1 ka ardhur në mënyrën më të papritur.
Hamilton nuk qe për asnjë çast konkurrues për vendin e parë, por gara kaotike e Bakusë e ka shpërblyer atë pikërisht kur ai i kishte humbur shpresat.
Gjithçka nisi në xhiron e 40-të të Çmimit të Madh në Azerbajxhan, me përplasjen midis dy pilotëve të Red Bull-it, Verstappen-it dhe Ricciardo-s.
Dalja e makinës së sigurisë u shoqërua me strategjitë e ndërrimit të gomave, nga të cilat përfitoi Bottas, në kryesim më tutje. Dhe kur gara rinisi, Vettel, që besohej se do të merrte fitoren e tretë sezonale, nuk u tregua i duruar, por tentoi të parakalonte finlandezin dhe gaboi.
Për Bottas-in nuk shkoi po ashtu më mirë, teksa pësoi një çarje fatale gome, prej së cilës u detyrua ta lërë garën.
Hamilton e kaloi finishin i pari, ndjekur nga Raikkonen dhe Perez i Force India-s. Vettel arriti në finish pas treshes së parë. Befasues Leclerc, i gjashti me një Sauber më se modest.
Bashkë me fitoren, Hamilton mori dhe kryesimin e botërorit, me 70 pikë, kundrejt 66 pikëve të Vettel-it. /tesheshi.com/