Këshilli i Lartë i Drejtësisë duket se po degradon nga dita në ditë. Gjatë kohës që në krye të tij ishte Bujar Nishani, KLD përjetoi periudhën e tij më të keqe, ku nuk munguan akuzat dhe kritikat për emërime të caktuar gjyqtarësh. Por në muajt e fundit të tij Nishani shkeli hapur ligjin. Së pari nuk zbatoi ndryshimet në ligjin por statutin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili detyronte KLD që brenda 6 muajsh nga hyrja e tij në fuqi të merrte masa disiplinore ndaj gjyqtarëve të përfshirë në afera dhe për të cilët janë paraqitur ankesa nga Ministria e Drejtësisë.
Bujar Nishani i amnistoi që të gjithë, duke mos marrë asnjë vendim. Një tjetër shkelje e tij ishte se ligji i vetingut detyronte KLD që të niste përgatitjet e vetingut në aspektin e verifikimit të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe Nishani nuk bëri asnjë veprim, duke sjellë vonesa në proces. Mirëpo pas largimit të Nishanit, në krye të KLD u vendos Ilir Meta, i cili në korrik u betua si President. Por me ardhjen e tij, situata duket se nuk ka ndryshuar fare.
Gazeta ka bërë një verifikim të vendimeve të KLD gjatë kohës që drejtohet nga Meta dhe rezultatet janë befasuese. Që në mbledhjen e datës 22 shtator e deri në dhjetor shumica e vendimeve kanë të bëjnë me vlerësimin e gjyqtarëve, ndërsa ka pasur dhe disa delegime të rralla. Ndërsa gjatë vitit 2018 janë marrë 20 vendime, ku kanë shkaktuar shumë habi dhe akuza.
Edhe pse ligji për statutin e gjyqtarëve përcaktonte që vendimi mbi procedimin disiplinor të gjyqtarëve duhej të ishte marrë brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi, KLD me në krye Ilir Metën futën në rend dite kërkesat për procedimin disiplinor të 13 gjyqtarëve. Bëhet fjalë për kërkesa që kishin dy vite në arkivin e KLD dhe disa ishin firmosur dhe nga ish-ministrat e LSI që ishin në Ministrinë e Drejtësisë. Por për habi të të gjithëve, të gjitha kërkesat ranë dhe KLD refuzoi shkarkimin e tyre.
Të dhënat e gjyqtarëve
Emrat të cilët u amnistuan nga KLD janë: Ardian Kalia, Tiranë; Shpëtime Pitaku, Durrës; Dhurata Bilo, Durrës; Astrit Shema, Vlorë; Maksim Qirjazi, Korçë; Tomorr Kullolli, Elbasan; Matilda Llangozi, Berat; Gentiana Xhelili, Vlorë; Ali Koleci, Mat; Laurent Fuçia, Vlorë; Enkeleda Doda, Sarandë; Rasim Doda, Sarandë dhe Petraq Curri, Durrës.
Ndërkohë, sipas informacioneve, për çiftin e fundit të gjyqtarëve, pra Rasim dhe Enkeleda Doda ka pasur edhe një hetim pasurie, ndërsa për Petraq Currin mësohet se nuk është ndërmarrë asnjë ndëshkim sepse ky i fundit nuk është paraqitur në mbledhje me argumentin se është sëmurë. Kërkesa për procedim penal për të është bërë sepse Curri ka liruar një nga personat e shumëkërkuar në Itali, Alket Hatia. Për të 13 emrat u kërkua shkarkim nga Ministria e Drejtësisë, por kjo fundit u refuzua. Vendimi i KLD zuri hapësirë të madhe në raportet vjetore të DASH dhe EURALIUS, ku kritikonin qëndrimet e mbajtura.
Pezullohen inspektimet
Një tjetër detyrë e KLD është që të kryejë inspektime në gjykata për të parë punë e gjyqtarëve. Kjo realizohet nga Inspektorati i Lartë i KLD, i cili më pas ja parqet institucionit të dhënat. Mirëpo nëse bëhet një kontroll në faqen e KLD, gjatë 3 viteve të fundit nuk ka asnjë të dhënë mbi inspektimet. Raporti i fundit vjetor është për vitin 2015 dhe gazeta ka mësuar se që prej asaj periudhe nuk ka pasur inspektime.
Ajo pas të cilës fshihet Inspektorati janë ndryshimet në ligjin për organet drejtësisë, i cili përcakton që do të ngrihet Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që do jetë organ i pavarur dhe do merret ai me inspektimet dhe kërkesat për procedime disiplinore. Ligji ka hyrë në fuqi, mirëpo Inspektorati nuk është ngritur ende.
Ndërkohë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili ka përcaktuar se deri në ngritjen e organeve të reja, organet aktuale do të duhet të vijojnë funksionin. Momentalisht KLD dhe gjykata apo prokuroria e Krimeve të Rënda duhej të ishin shkrirë, por vijojnë. E njëjta gjë duhej të ndodhe dhe me inspektoratin, por ai ka pezulluar inspektimet./ SOT