Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është njoftuar se do të mblidhet sot ku pritet një raportim mbi performancën e qeverisë dhe çështje të tjera që do të dalin gjatë punimeve.
Referuar axhendës, asambleja do nisë me fjalën e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të vijuar me një raportim të Koordinatorit Kombëtar, Elisa Spiropali, për ecurinë e deritanishme të të ashtuquajturit proces i bashkëqeverisjes.
Ndërkohë, pjesë e axhendës së mbledhjes do të jetë edhe udhëzimi për zhvillimin e llogaridhënies publike të qeverisjes qendrore dhe vendore “Puna për Shqipërinë që duam”, prej datës 1 maj deri më 30 qershor 2018.
Në mbledhjen e Asamblesë do të jepet po ashtu informacion për punën e deritanishme mbi analizën e performancës së qeverisjes vendore, si dhe mbi punën e strukturave vendore të partisë për kryerjen e disa veprimtarive organizative për periudhën janar-prill 2018.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është vendimi për kuotizacionin e anëtarësisë së Partisë Socialiste për vitin 2018.