Deklaratat e kryeministrit Rama dhe Damian Gjiknurit për “tërmet” në Vlorë për zgjedhjet e 25 prillit, janë edhe arsyeja kryesore e vizitave të presidentit Ilir Meta në këtë qark, përpos arsyeve të tjera ceremoniale.
I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të një aktiviteti, ku nderoi 5 heronj të LANÇ, se nuk ka dyshime për këto deklarata pasi ka thirrje publike të bëra nga kryeministri.
“Nuk ka dyshime, se ka thirrje publike dhe inkurajim publik të bëra edhe nga kryeministri. Të fala gurusë. Vlora e vlonjatëve.
Ne e dimë se kush ka pushtuar institucionet, kush ka vrarë shpresën, kush e nxit shpopullimin dhe një formë e re e pushtimit dhe kolonializmit”, shtoi ai.
Akuzat e kryeministrit Rama në lidhje me dekorimet, presidenti i quajti provokime, ndërsa shtoi se ato janë në bazë të meritës së çdo fushe.
“Jam krenar për të gjitha vlerësimet që jap në saj të meritës së çdo fushe. Sa i takon provokimeve ordinere ne e dimë që këtu në Vlorë ka edhe një adresë që do ia dërgojmë më 26 prill ku do ketë mundësi të kurohet”, tha ai.
Ai tha se Vlora është e të gjithëve dhe do ta vizitojë edhe pas zgjedhjeve kur nis sezoni turistik.
“Unë kam qenë në Vlorë, Vlora është e të gjithëve dhe çdo presidenti aq më tepër nga Skrapari dhe Çepani që ka sjellë një çetë më vete në luftën e Vlorës. Do të vij edhe më shpesh edhe pas 25 prillit se po vjen edhe sezoni”, tha Meta.