Dekada e fundit e politikëbërjes shqiptare e ka transformuar shijen politike dhe estetike të Shqipërisë.
Kjo ndërmarrje, me përmasa historike, e konsolidimit të vetëdijes qytetare dhe të manifestimeve të saja komplekse, lidhet ngushtë me vizionet urbanistike të kryeministrit artist. Qeverisja e Ramës dhe e Partisë Socialiste ua riktheu shqiptarëve atë që, për shumë kohë, e kishin humbur: të bukurën.
Të shumtë qenë shqiptarët që kishin ngelur të zhytur në iluzione imazhesh të lavdisë dhe të miteve mbi Shqipërinë e përjetshme, që projektoheshin si konstrukt dëshirash: Shqipëria e shekullit XX nuk u bë mishërim i rrëfenjave të bukura të vëllezërve Frashëri.
Ajo doli e shëmtuar, për shkak të barbarisë së atyre që Shqipërinë e lanë në mëshirën e një kaste politike dhe të një Njëshi të veshur me pushtet absolut.
Pas kolapsit të komunizmit, që shkërmoqi të gjitha vlerat, me pasojë anarkinë e pashembullt që kulmoi në vitin 1997, Shqipëria do të fillonte ndryshimin e vërtetë me zgjedhjen e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës.
Në gjithë kaosin e mijëra ndërtimeve pa plan, ai do të rizbulonte ekzistencën e një planimetrie të parashkruar urbanistike, me vlera të mëdha për të ardhmen e kryeqytetit të ngulfatur nga shëmtia.
Nuk ishte vizion bosh ai i Ramës, i cili veproi, duke hequr mijëra shëmti të paligjshme, rikonstruktoi vlerat historiko-kulturore, projektoi Tiranën si metropol urbano-modern.
Nga viti 2013, si kryeministër, Rama do të përmbyllte ciklin e transformimit të Tiranës, duke e zgjeruar në krejt Shqipërinë, e duke u dhënë jetë dhe pamje moderne edhe qyteteve dhe vendbanimeve të tjera që, në vizionin e tij, i dha emrin “Shqipëria që duam”. Shqipëria e këtij vizioni që duhet të bëjë çdo shqiptar krenar.
Ka mendime se, ndryshimet rrënjësore dhe qeverisja me shije në dy mandate, nuk do të duhej ta kualifikonin Edi Ramën edhe për një mandat të tretë. Thuhet se, në rrethanat e tranzicionit, dy mandatet e kanë konsumuar politikisht Edi Ramën.
Megjithatë, për idenë se a është “konsumuar politikisht” Rama do të vendosin më 25 prill zgjedhësit e Shqipërisë, si instanca më legjitime e vlerësimit.
Ne mendojmë se kufijtë kohorë realisht nuk ekzistojnë, pasi Rama ende nuk e ka përmbushur në plotësi vizionin e tij, ndërkaq edhe Shqipërisë nuk i ofrohet alternativa e udhëheqjes që do të sillte konsolidimin e mëtutjeshëm politik dhe shoqëror.
Alternativat e të djathtës, që duan ta rivalizojnë dhe mundin Ramën, nuk e kanë gjetur ende rrugën e pajtimit, atë që do të sfidonte më seriozisht pushtetin e Ramës me votën e tyre të koncentruar.
Fenomeni “Rama” nuk duhet të shikohet vetëm në dimensionin politik. Ai, gjithnjë, duhet të mendohet edhe nga aspekti se çka ka qenë në jetën e mëparshme të shqiptarëve, pra Edi Rama – krijues dhe arti (p.sh. performanca në Take back your city by paint, Edi Rama TEDx Thessaloniki – 2012).
Rrjedhimisht, për të sqaruar më me detaje vizionin për fushatën aktuale të kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste, duhet t’i rikthehemi rrugëtimit politik të tij në dy dekadat e fundit, si kryetar bashkie dhe si kryeministër.
Kjo, sepse ne besojmë që emëruesi i përbashkët i karrierës politike të kryeministrit Rama, pavarësisht ndryshimeve, është preokupimi për të bukurën, e cila i jep kuptim jetës dhe i bën njerëzit të ndihen më mirë e më të sigurt në qytetin dhe shtetin e tyre.
Ky vizion mbetet konstantja e karakterit të tij prej politikani.
Andaj, ashtu siç nënkuptohet shpesh nga paraqitjet e tij publike, fushata e dizajnuar vizualisht nga ekipi i tij është ideuar si pasojë e bindjes se nuk ka progres shoqëror në shëmti.
Përpos lidhjes me të bukurën, Rama arriti të projektojë artin në funksionin e akteve politike që projektojnë vizionin për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Si rezultat i punës dhe shijes, shqiptarët ndërtuan për herë të parë një mesazh politik të qëndrueshëm, i cili buron nga shija, kultura, përafrimi, solidarizimi, integrimi, rikthimi i dinjitetit, fuqizimi dhe faktorizimi.
Mes të tjerash, Rama ndërlidhet edhe me pozicionin politik të njeriut që shemb muret e vendosura në kufijtë e Shqipërisë, që me dekada pengonin ndërlidhjet e shqiptarëve, të cilët jetojnë në pesë shtete të rajonit.
Ky angazhim i Ramës, që të jetë mburojë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në disa paraqitje dhe sjellje publike është perceptuar sikur i ngarkuar me tone etno-nacionaliste.
Sidoqoftë, për të argumentuar të kundërtën e kësaj, duhet rrëfyer drejt kronologjia e fushatave të tij të mëhershme, për të parë në mënyrë më objektive evoluimin e natyrshëm konceptual të pozicioneve politike në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët.(albanianpost)