“Flora Ndreca më ka pyetur se çfarë do të bëja me formularin e paaftësisë. I kam thënë se nuk do ta plotësoj.
Debatet për plotësimin e formularit të paaftësisë kanë vazhduar disa minuta dhe për shkak se nuk lejohet debat në vendin e punës, i kam kërkuar që të largohet.
Mes debateve, m’u drejtua duke më thënë “ti nuk je burrë”. Në këtë moment i jam përgjigjur që të zbresë nga kulla, përndryshe do ta hidhja nga kulla”.
Kjo është dëshmia e njërit prej kontrollorëve të AlbControl, raporton A2.
Ai fillimisht nuk kishte pranuar të plotësonte formularin e paaftësisë për punë, por që më pas e kishte bërë këtë gjë.
Sipas tij, pasi mësoi se 5 kolegë ishin pushuar nga puna dhe të gjithë të tjerët e kishin plotësuar formularin, në fund kishte vendosur edhe ai t’i bashkohej kolegëve.
Prokuroria e Tiranës do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për Flora Ndrecën dhe “arrest në burg” për Muhin Mezinin dhe Armando Fezgën.
Tre kontrollorët Armando Fezga, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini akuzohen për shpërdorim detyre.
Sipas Policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë bërë rezervimin e dhomave në hotelin pranë aeroportit, kanë ndikuar te vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën.
Me veprimet e tyre ata kanë shkaktuar pasoja të rënda në dëm të udhëtarëve dhe personit juridik, Aeroportit të Rinasit.