Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar hetimet për situatën e ndodhur në aeroportin e Rinasit. Pas kallëzimit që Albcontrol ka bërë ndaj disa emrave konkretë të kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas që mendohet se nxitën grevën dhe bllokimin e punës në Rinas.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet, ndërsa policia ka shoqëruar 7 punonjës. Mes të shoqëruarve edhe Muhni Mezini një nga kontrollorët e trafikut ajror, emri i të cilit u bë publik në lidhje me letrën që kishte firmosur duke e shpallur veten të paaftë për punë për shkak se ishte stresuar që kishte marrë para borxh te familjarët për të përballuar jetesën. Ai shkruante se ku borxh është marrë pasi pagesa e tij prej 14 muajsh ishte ulur për shkak të pandemisë.
Disa Oficerë të Policisë Gjyqësore dhe prokurorë e policisë të Tiranës kanë mbërritur në Rinas ku kanë nisur hetimet dhe pritet shoqërimi i disa prej kontrollorëve të tjerë. Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me “Shpërdorim Detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Prokuroria e Tiranës vijon hetimet në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Në kodin e Punës, ky sektor e ka të ndaluar të zhvillojë grevë dhe të bllokojë punën pasi është një shërbim jetik për qytetarët dhe sigurinë e kombit. Ndalimet e grevës për punonjësit e kontrollit ajror është shumë e qartë në Kodin e Punës. Sipas nenit 197/5 të Kodit të Punës ndalohet greva për disa shërbime jetike, ku në shkronjën ç të pikës 2 të këtij neni thuhet qartë që ndalohet greva për shërbimet e kontrollit të trafikut ajror.
Neni që ndalon shërbimet e kontrollit ajror të bëjnë grevë
Paraditen e sotme kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet në Aeroportin e Rinasit. Ulja e pagave nga 4500 dollarë në 2400 dollarë të kontrollorëve të trafikut ajror ka ndodhur si pasojë e rënies së fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të pandemisë që ka sjellë pezullimin e tyre në të gjithë botën. Nga prilli 2020 paga e tyre ka pësuar ulje pasi vetë trafiku ajror ka rënë me -57 % ose thënë ndryshe aeroporti i Rinasit gjatë viti 2020 ka punuar me 43 % të trafikut ajror krahasuar me 2019.
Ky bllokim është cilësuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku si një grusht shteti që ka prapavijë politike dhe se është i nxitur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Më herët vetë Rama u bëri thirrje kontrollorëve që të ndahen nga organizatorët e grevës që i futën në këtë lojë të rrezikshme dhe t’i rikthen punës.
Edhe ministrja Balluku në një intervistë për Report TV ajo tha se organizatorët janë kallëzuar në prokurori dhe se qeveria ka një plan për rifillimin e fluturimeve shumë shpejt. Sipas burimeve për Report TV janë kallëzuar në prokurori 3 organizatorët e kësaj greve, që janë kreu i sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror dhe dy kontrollorë të tjerë, të cilët më datë 12 prill do të japin edhe argumentet se pse kanë braktisur detyrën.
Në lidhje me çështjen edhe presidenti Ilir Meta tha se kontrollorët duhet të nisin punën dhe të mos e ndërpresin atë, ndërsa u bëri thirrje qeverisë, institucioneve dhe ambasadorëve në vendin tonë që të uleshin në dialog për të zgjidhur këto tensione.