Qytetarët janë përballur me mungesën e kartonëve dhe në vend të patentës kanë marrë një letër me vulë të njomë dhe fotografi. Ata persona që duan të pajisen për herë të parë me leje për drejtim automjeti apo që u duhet ta rinovojnë, janë përballur me mungesën e kartonave të kësaj dëshmie.
“Kam një muaj që kam aplikuar dhe më tha të vijë një herë pas dhjetë ditësh. Tani na japin si këto formularë për të lëvizur sa të dalin kartonët, më parë i merrnim brenda 5 ditëve”, thotë një qytetar.
Por certifikata përmbledhëse ka afat një mujor dhe në sportelet e aplikimit qytetarët janë rikthyer sërish për të marrë një tjetër certifikatë në mungesë të kartonit.
“Në momentin kur kalon afati 30 ditor ne i pajisim qytetarët sërish me një tjetër certifikatë të përgjithshme me një afat 30 ditor derisa t’i dalë kartoni”, tha Florina Hito, përgjegjëse e aplikimeve DSHTRR.
Por kjo zgjidhje vlen vetëm për ata që duan të drejtojnë mjete brenda vendit, pasi për jashtë shtetit kjo certifikatë nuk shërben as për të nxjerrë lejen ndërkombëtare të drejtimit të mjetit.
“Kjo zgjidhje është vetëm për brenda vendit, ndërsa për ato që duan leje ndërkombëtare nuk mund ta marrin me këtë certifikatë. Dhe ne i kërkojmë ndjesë dhe mirëkuptim për situatën e krijuar”,thotë Enea Andrea, përgjegjës informacioni DPSHTRR.
“Por lajmi i mirë për këtë problematikë është që shumë shpejt prodhimi i kartonave të rinj për leje drejtimi do të nisë, duke i paraprirë fluksit të pritshëm gjatë verës me ardhjen e emigrantëve”, thotë Andrea.