Vladimir Kurti, i arrestuar sot si një nga grabitësit në ngjarjen e Kamzës dhe i cili është i dyshuari se ka qëlluar me armë ndaj çiftit Buçi, ku mbeti i vrarë kryefamiljari Agim Buci dhe mbeti e plagosur gruaja, nuk e ka herën e parë që kryen këtë vepër penale.
Duket se Vladimir Kurti nuk është nje emër i panjohur për policinë.
Në dhjetor të vitit 2010 ai së bashku me 2 miq të tij kanë marrë një taksist në qendër të Tiranës dhe pasi e kanë çuar në Babrru nën kërcënimin e një thike i kanë marrë atij celularin dhe paratë që kishte me vete.
Më pas taksistin e kanë kaluar në sediljen e pasme dhe kur kanë qenë duke ecur makina është përplasur me një shtyllë ku të plagosur mbetën miqtë e Kurtit dhe taksisti.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe arrestoi bashkëpunëtorët e Kurtit, ndërsa ky i fundit arriti të largohej. Kurti u arrestua disa ditë më vonë dhe në 2012, ku u dënua nga gjykata me 3.4 vite burg. Në atë kohë, ashtu si këtë herë, ai u shpreh i penduar dhe bashkëpunoi me autoritetet duke lehtësuar pozitat e tij.