Koordinatorja e programit kombëtar të vaksinimit, Erida Nelaj, ka deklaruar se vaksina kineze Sinovac kryhet me dy doza.
“Kjo është një vaksinë që ruhet në kushte +2 në +8, kemi marrë të gjitha masat që të respektohet zinxhiri i ftohtë në këtë pikë grumbullimi këtu.
Është një vaksinë që ndodhet një dozë në një flakon. Është e lehtë në përdorim por si skemë i ka dy doza, një tani dhe një pas një muaji.”
E pyetur nga Klan News nëse do të ketë kombinime të dozave të vaksinave ajo u shpreh se deri më tani nuk ka studime të qarta.
“Ky lloj vaksinimi nuk ka alternime, doza e dytë do të jetë e njejtë me atë të parën.”
Sipas saj doza të tjera të vaksinës kundër Covid-19 pritet të vijnë në ditët në vjim, përfshirë edhe ato të AstraZeneca, Pfizer por edhe vaksina të Sinovac.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë në ditët e para në sheshin Skënderbej u kryen rreth 1 mijë vaksinime, ndërsa në qendrat shëndetësore të kryeqytetit rreth 3 mijë injektime.