Nga Anri Bala
Rastësisht, duke bërë një kërkim në rrjet, për një video të famshme të Monikës së Dibrës, më doli përpara fotografia e një vajze të re e të bukur, edhe ajo e quajtur Monika, franceze me origjinë, por princeshë e më pas mbretëreshë, si gruaja e mbretit Norodom Sihanouk të Kamboxhias. Kurioziteti mu shtua, kur pashë një shkrim të “New York Times”, 17 Qershor 1975, ku mbreti dhe mbretëresha, kishin vizituar vendin tonë, për të takuar ish-diktatorin Enver Hoxha, si shtet mik i Shqipërisë.
Çuditërisht, jeta e Monikës së bukur të Kamboxhias, përkonte me jetën e Monikës së Dibrës, që ngjanin si dy pika uji….kur bëhej fjalë për të jetuar në luks edhe pa pushtet! Për Monikën e Kamboxhias, nuk di shumë, përveç se ishte një femër e bukur dhe e hijshme, e dashuruar me mbretin e floririt, ndërsa Monika e Dibrës, e dashuruar me “mbretin e hekurishteve”.
E mbani mend Monikën e Dibrës, kur i kapërdisej në televizion shqiptarëve mbi kolltuqet 45 milionë lek, shalë mbi shalë, pasi i ishte larguar një e verdhë e zbehtë nga fytyra, e gjaku kishte nisur tu qarkullonte prapë në mollëza, bashkë me bashkëshortin, të ngujuar me javë brenda shtëpisë, kur doli video e famshme e “bllokut të kuq”. Kësaj here, të dy të dobësuar, mbledhur sa një grusht, nga stresi dhe “unazat”, jo në gisht, se ato nuk i vendosën kurrë, por në zorrë, për t’i ndaluar makutërinë e të ngrënit… nga frika e “gogolit”.
Monika e dobësuar edhe e “prekur gjithandej”, jo nga burri… se desh ju bëra dhe juve për të qeshur, por nga plastika në pjesën e fytyrës, u jepte mend shqiptarëve të varfër në xhepa nga ndershmëria, por jo të paditur… se si kalohen fundjavat në një vilë disa qindra mijëra euro, në vijën e parë të bregdetit të Lalëzit, e se si urinonte Sasha (macja) në banjon e 11-të, të bërë posaçërisht për të.
Gazetarja puthadore, që drejtoi intervistën, u ndje e “shokuar” nga “mentorja” dhe nga gjithë ai bollëk, sa “harroi” ta pyeste zonjën, se nga vinte gjithë kjo mirësi?! Mos ndoshta nga ndonjë trashëgimie prindërore a fisnore, edhe pse prindërit shquhen si njerëz të thjeshtë e të ndershëm, që kanë punuar gjithë jetën, njëri karrocier dhe tjetri oficer, apo si tregtarë tezgash e zarzavatesh?! Pa dyshim, që gazetarja nuk ishte aq e “çartur” sa ta pyeste!
Informacione rreth “biznesit” të tyre nuk kishte, as për njërin dhe as për tjetrin, sepse nuk kanë dhe as nuk kanë pasur, e kurrë mos e “dhëntë” zoti, pasi anëtarë partie kanë qenë dhe nuk e kanë hedhur ndonjëherë firmën gjëkundi, veç pagës së bashkëshortit si funksionar i lartë i shtetit dhe së fundmi rrogën si deputete të Zonjës së parë dhe të fundit?! Ama të mbledhësh të gjitha pagat e çiftit, bashkë me fitimet e gjithë jetës së prindërve të tyre, nuk do mund të blinin, as palmat në oborrin e shtëpisë, pasi paratë nuk do i mjaftonin për karburantin, që i nevojitej helikopterit, për t’i transportuar deri aty.
Më qesharak, është fakti, se kolltuqet e shtrenjta, kushtojnë sa një “unazë” në stomakun e zonjës së parë dhe të fundit, ndërsa dy unazat bashkë me ndërhyrjet estetike të saj, prekin 1/10 e vlerës së vilës 1 milion dollarëshe! “E ndaj Monikës i vjen keq… u dhimbseni”! I vjen keq që jeni të paaftë për të parë atë që sheh ajo, shijuar atë që shijon ajo, “modeluar me plastikë” atë që modeloi ajo, prekur atë që prek ajo… e këtu prapë nuk flas për burrin, se me atë i ka mbyllur hesapet… tani që u bë president!
Monika nuk i kapërdisej vetëm shqiptarëve jo, i kapërdisej drejtësisë… të cilës i shpëtoi fal hetimit të dy “ekspertëve”: një kambist dhe një bravaxhi… i kapërdisej “armiqve” në politikë, por dhe “miq armiqëve” politikanë që banojnë aty pranë, gazetarë e anal-istë “objektivë”, që i përshendet tek vila e tyre 500 mijë euro konstruksion, vetëm se janë në vijën e dytë… i kapërdisej të gjithë viktimave të 21 Janarit, atyre të gjallë e atyre të vdekur… duke qeshur për fatin e tyre të keq, bashkë me miqtë politikanë, gjyqtarë, prokurorë avokatë dhe anal-istë, që banojnë prapa oborrit të shtëpisë. Kapërdisjen e bënte nga padija, e dikush me mend në kokë, i tha ta “zhduk” menjëherë videon… pa ardhur “drejtësia”!
E duke parë ecurinë e mbretërisë së Sihanukëve, të cilët u arratisën pas rënies së mbretërisë nuk mund të rri pa pyetur: A do ketë të njëjtin fat Monika e Dibrës dhe mbreti i hekurishteve të kthyera në flori?!/Tellalli