Televizionet e tipit mbush programin me çfarë të gjesh “në rrugë”… shqiptarëve u kanë ardhur në majë të hundës dhe veç sa mbjellin urrejtje e neveri, kur në to promovohet politiko-injoranca. Por, më shumë të sekëlldiset e të prishet stomaku, kur në ekran sheh politiko-injorantët të tipit Kryemadhi… kur ftohen nëpër emisione të na mbajnë fjalime, edhe pse akuzohen për qindra afera korruptive! Nëpërmjet sejmenëve të tyre, ata “lehin” papushim nëpër ekrane, me guximin e të marrit, për të na kërkuar “certifikatë ndershmërie”… politike, për veten dhe partnerin… sot president i vendit.
E ftuara nga patrioti i fshatit të burrit… Kryemadhi përveç broçkullave pa fund, ndër të tjera, me siklet e padashur deklaroi, se disa nga deputetët që nuk merrnin pjesë në lojën e saj qesharake: “Hajde të gjuajmë me miell, çizme dhe vezë, që të rrëzojmë Ramën”, do të bënin mirë të largoheshin, sepse kjo lojë e “rëndë”, është lojë për burra, si “buçkot” e saj, që ajo i ka futur në parlament, gjoja si përfaqësues të popullit, por nëse do votoheshin… nuk do të përfaqësonin dot as familjen e tyre.
Fjala ishte për deputetët, që sipas saj, ishin shokët e burrit të saj, Haxhinasto, Panariti, Bitri apo Naço, që me sa u kuptua, i’a kanë dhënë me kohë mesazhin e largimit dhe të mospajtimit zonjës Çizmja e Parë, me politikën e saj infantile dhe turpëruese, për cilindo që ka dy pare mend në fushën e të bërit politik dhe opozitarizëm.
Ja çfarë deklaroi Kryemadhi:
“Secili ka gojën e vet, mendjen e vet të flasë dhe të shpjegojë qendrimin e tij. Asnjërin nuk e mban me zor në LSI as zotin Bitri, as Monikën e as njeri tjetër. Kush do të rrijë kush do, të iki. Ky grup parlamentar nuk është zgjedhja ime. Është zgjedhja e Ilir Metës.
Çdo deputet që kërkon ta shikojë veten e tij në LSI si shoku i Ilir Metës le ta shikojë si shok i Ilir Metës. Kryetar i LSI është Monika Kryemadhi dhe nuk është Ilir Meta. Kjo është e qartë për çdo gjë dhe e kam bërë të qartë edhe për grupin parlamentar.
Kush do të shkarravitet me Edi Ramën le të shkarravitet. Kush do që të shkarravitet me Taulant Ballën le të shkarravitet. Kush do të shkarravitet me Gramoz Ruçin le të shkarravitet. Lëvizja Socialiste për Integrim është një realitet politik”.
“Mos prisni që nga Edmond Haxhinasto të marrë shishen e ujit dhe të qëllojnë dikë apo Panariti të hedhë qesen me miell. Mos prit që Haxhinasto të qëllojë me grusht ndonjë njeri”, tha Kryemadhi./Tellalli