Deklarata e ambasadores Yuri Kim se partitë duhet të reagojnë për Tom Doshin ka trazuar ujërat në Tiranë. Nëse lexohet me kujdes mesazhi i ambasadores, duket se ai shkon për Partinë Socialiste, e cila nuk është distancuar publikisht nga Tom Doshi.
Lidhur me këtë çështje reagoi drejtori i Komunikimit të kryeministrit, Endri Fuga. Ai tha se thirrjet e ambasadores nuk janë për Partinë Socialiste pasi kryeministri Edi Rama edhe më parë e ka bërë të qartë se Tom Doshi nuk ka për të qenë pjesë e Partisë Socialiste. Fuga u shpreh se mes kryeministrit Rama dhe ambasadores Kim nuk ka asnjë dallim lidhur me këtë çështje, e cila sipas tij është në interes të marrëdhënies së mirë mes qeverisë dhe aleatëve strategjikë të saj.
“Ambasadorja Kim e ka bërë më parë shumë të qartë me gojën e saj, qëndrimin e kryeministrit, se Tom Doshi as nuk është aleat i Partisë Socialiste dhe as do të jetë pjesë e qeverise së re të Partisë Socialiste! Kështu që nuk e lexojmë mesazhin e ambasadores Kim si një thirrje për PS e as marrim përsipër të flasim në emër të shumë partive të tjera, të cilat nuk janë prononcuar për rastin në fjalë.
Mes Partisë Socialiste dhe Shteteve te Bashkuara, si edhe mes Kryeministrit Rama dhe ambasadores Kim, nuk ka asnjë dallim as për këtë çështje dhe as për asnjë çështje që është në interes të marrëdhënies së shkëlqyer mes nesh e aleateve tanë strategjikë”, tha Fuga për Zërin e Amerikës. I gjithë ky reagim erdhi si pasojë e një statusi në Twitter nga ambasadorja Kim, e cila vlerësoi qëndrimin e Partisë Demokratike dhe i drejtoi pyetje forcave të tjera politike se përse nuk reagojnë lidhur me çështjen e kandidimit të Tom Doshit.
Reagon Gogu
Lidhur me deklaratën e bërë dje nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, reagoi ish-prefekti i Tiranës dhe njëkohësisht kandidat për deputet i Partisë Socialiste, Toni Gogu. Ai u shpreh se Partia Socialiste ka ditur shumë mirë se si t’i ndërtojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Sipas tij prej këtyre marrëdhënieve të mira, PS i ka kuptuar ata edhe kur nuk kanë folur fare. “Partia Socialiste di të dëgjojë shumë mirë partnerët tanë strategjikë, kur ata heshtin dhe jo më kur ata flasin qartë. Janë një sërë momentesh historike në Shqipëri, kur partnerët kanë dëgjuar zërin e PS që të bashkëpunojë me ta, unë kështu do ta komentoja atë deklaratë”, tha Gogu.
Ai foli gjithashtu edhe për listat e PD-së dhe të PS-së në qarkun e Tiranës teksa u shpreh se listat e PS janë më lehtësisht të dallueshme sepse drejtohen nga një person që e ka filluar punën shumë herët. Gogu tha se teksa PS po ndjek procesin e vaksinimit, nga ana tjetër një person ka kohë të shkruajë libër duke ironizuar kështu kreun e PD, Lulzim Basha.
Sipas tij PS ka një ekip që punon ndryshe nga PD, e cila dëshiron vetëm të fitojë pa menduar për qytetarët. “Listat janë lehtësisht të dallueshme, për shkak se ekipi i PS po drejtohet nga një person që e fillon punën shumë herët, tani që po flasim do jetë duke ndjekur procesin e vaksinimit dhe nga ana tjetër kemi një person që ka kohë të shkruajë dhe libra.
Në krye të ekipit tonë ne kemi një inxhiniere dhe një mjeke që nuk kanë sosur misionin e tyre, në shërbim të qytetit dhe të pacientëve. Përballë kemi listën e shokut Kopi pa asnjë shahist, që nuk ka menduar për qytetarin apo për sfidën e rimëkëmbjes së vendit. Është e qartë se kemi përballë një ekip që punon, përkundrejt një tjetri që ka vetëm dëshirë që të fitojë dhe të vazhdojë me baltën”, tha Gogu.