Belgjika e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme fushatën eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 3-1 përballë Uellsit në stadiumin “King Baudouin” të Brukselit.
Britanikët kaluan të parët në avantazh me anë të Wilson në minutën e 10’, por belgët reaguan në mënyrë fantastike dhe përmbysën gjithçka që në pjesën e parë me golat e Kevin De Bruyne dhe Thorgan Hazard.
Në pjesën e dytë ishte sulmuesi kryesor i belgëve, Romelu Lukaku që vulosi suksesin, pasi ekzekutoi saktë një 11-metërsh, duke i dhënë skuadrës së drejtuar nga Roberto Martinez 3-pikëshin e parë në këtë sfidë.
Po në grupin E, Republika Çeke triumfoi me rezultat tenistik 2-6 në transfertën ndaj Estonisë, ku protagonist absolut ishte mesfushori i West Ham, Tomas Soucek, që shënoi tre herë, ndërsa goleadën e kompletuan Schick, Barak dhe Jankto.
Zhgënjen në ndeshjen e parë eliminatore, Franca Kampione në fuqi e Botës, që nuk shkoi përtej barazimit 1-1 ndaj Ukrainës në “Stade de France” të Parisit. “Gjelat” kaluan në avantazh me anë të Griezmann në pjesën e parë, por një autogol i Kimpembe në minutën e 57’ bëri që të dilnin me vetëm një pikë nga ky takim.
Hap fals në start për Kroacinë, që u mposht me rezultatin minimal 1-0 në derbin ballkanas ndaj Sllovenisë. Këta të fundit kaluan në avantazh me anë të Lovric në minutën e 15’ dhe më pas ia dolën të ruajnë të paprekur portën, duke marrë 3 pikë me mjaft vlerë, shkruan Super Sport.
Skuadra tjetër ballkanase, Serbia ia doli të triumfojë me shifrat 3-2 në një sfidë të vështirë ndaj Irlandës, ndërsa në të njëjtin grup, Portugalia fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Azerbajxhanit të De Biasit, falë një autogoli të Medvedev në minutën e dytë.
Në sfidat e tjera të mbrëmjes, Finlanda dhe Bosnja u ndanë në barazim 2-2, Rusia triumfoi me rezultatin 1-3 në Maltë dhe Mali i Zi mposhti 1-2 Letoninë në transfertë.