Pas publikimit të një rapsodie dibrane mbi Ilir Metën, të cilin e quajnë Skënderbeun e ri, Bilushi i Metës shpjegon arsyet pse po ndodh ky fenomen:
“Të dashur miq!
Nuk ka asgjë për t’u çuditur nga kjo që po ndodh.
E gjitha nisi në Kamëz në tetor të vitit që shkoi, kur komuniteti dibran i këndoi atij një këngë, duke i përmendur Hajredin Pashën.
Pas kësaj pati shumë iniciativa po nga Dibra, por ne i ndaluam, pasi do të dukej sikur e bënin ngaqë Ilir Meta ishte dhëndër dibre.
Por pas aktit të djeshëm, ne nuk mund t’i ndalnim më.
Rapsodi dibran e bëri këngën dhe e dërgoi në grupin e Whats’app-it të Presidencës.
Ne pastaj e ndihmuam të gjithë për të montuar pamje që ilustrojnë aktet patriotike të Ilir Metës.
Skena me policë nuk u vendos, se nuk kishim pamje origjinale dhe na i bllokonte “Acromax” në Youtube.
Pyetja juaj pse Meta krahasohet me Skënderbeun e ka përgjigjen tek vetë ajo që thotë populli.
Skënderbeu i rezistoi 25 vjet Turqisë, kurse Ilir Meta ka 25 vjet që i reziston Edi Ramës.
Skënderbeu mbrojti kështjellën e Krujës nga turqit, Ilir Meta mbrojti kështjellën e Saliut nga Edi Rama.
Skënderbeu linte Vrana Kontin në kështjellë dhe vetë sulmonte rrugëve, Ilir Meta ka lënë Tit Vasilin në seli dhe vetë ka dalë në rrugë.
Skënderbeu kishte aleancë me Dukën e Napolit, Ilir Meta ka aleancë me Dukën e Shijakut
Skënderbeu bëri Besëlidhjen e 2 marsit, Ilir Meta bëri mitingun e 2 marsit.
Skënderbun nuk e arrestuan dot kurrë turqit, as Ilir Metën s’do ta arrestojnë dot kurrë të huajt, që bëjnë ligjin këtu.
Ka dhe gjëra të tjera të përbashkëta, por këto i bien në sy popullit.
Ndaj dhe ne nuk mund të ndalim tani e tutje këngët për të”.