Vetingu në polici ka filluar të japë efektet e para. Teksa duhen edhe 10 ditë nga dorëzimi i formularëve të vetëdeklarimit për vetingun në radhët e policisë, duket se ritmet e dorëzimit të formularëve të vetëdeklarimit nga ana e efektivëve blu, është shumë i ulët.
Nga 13 mijë punonjës që shërbejnë në policisë e shtetit vetëm 10% kanë mundur t’i dorëzojë formularët pranë drejtorive vendore përkatëse.
Lajm i është bërë i ditur ditën e djeshme nga kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta. Gjatë një prononcimi për mediat, Fishta zbuloi se janë larguar nga radhët e policisë rreth 300 efektivë, ku sipas tij, Tirana mban numrin më të lartë me 70 të dorëhequr.
“Kur duhet edhe 10 ditë nga dorëzimi i formularëve të vetëdeklarimit për vetingun në radhët e policisë, vetëm 10% e tyre i kanë dorëzuar ato. Deri më tani 300 punonjës policie që të largohen vetë, në qarkun e Shkodrës janë 20 numri i personave që kanë bërë kërkesë në Tiranë 75, në qarqet e tjera sidomos në Jug ka edhe më tepër”, deklaroi ai.
Po ashtu, Fishta paralajmëroi se edhe shumë punonjës të tjerë policie pritet që të largohen. Ai theksoi se shumë nga këta efektivë policie kanë mbushur moshën 47 vjeç, dhe në këto kushte sipas tij, ata do të dorëhiqen, pasi përfitojnë pensionin suplementar. “Ne parashikojmë që deri më datën 30 të largohen me kërkesë të tyre deri 15% e punonjësve. Pjesa më e madhe me moshë mbi 47 vjeç që përfitojnë pensionin suplementar. Vetingu është pjesë që e ka çuar në ekstrem gjendjen e tij psikologjike. Kjo është përgjegjësi kolektive e institucionit, shtetit e jona që ne duhet t’i trajtojmë punonjësit e policisë me dinjitet”, u shpreh Fishta.
Më tej, kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta u shpreh se nga kontaktet që ka me efektivët në terren, ka konstatuar se pjesa dërrmuese e punonjësve që sindikata përfaqëson, nuk i kanë dorëzuar ende 3 formularët e vetingut. Ai theksoi se efektivët po presin ditët e fundit të afatit për faktin se janë në dilemë.
“Pjesa më e madhe e punonjësve të policisë nuk i kanë dorëzuar 3 formularët e vetingut dhe po presin ditët e fundit të afatit që skadon më 5 maj. Janë para dy alternativave, ose të bëjnë kërkesë që të lirohen ose ta plotësojnë në përputhje me ato kërkesa që ka ligji. Deri tani nuk është dorëzuar asnjë nga këto deklarata, formularë sepse problematika është shumë e gjerë dhe gjithsecili prej tyre po vazhdon me konsultat”, u shpreh kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta.
Ndërkaq, kreu i Sindikatës bëri me dije për të gjithë punonjësit e policisë se edhe nëse nuk gjenden deri më data 5 maj dokumentet që kërkohen tek deklarata e pasurisë, ata do të kenë në dispozicion më shumë se 6 muaj kohë për t’i paraqitur pranë zyrave përkatëse.