Bledar Jambelli, personi që konsiderohet nga prokuroria si njeriu që ka urdhëruar ekzekutimin e ish-drejtorit të policisë së Vlorës Artan Cuku, ka marrë pafajësi nga gjykata e Vlorës dhe Apeli, duke u liruar nga qelia e akuzat për dy vrasje.
Ndryshe sa kishin kërkuar prokurorët e Vlorës Vojsava Starova dhe Hyrjet Lamaj 25 vjet burg për Jambellin, trupi gjykues i shkallës së parë i përbërë nga gjyqtarët Arqile Basho, Anastasi Shehu dhe Mirela Mishgjoni nuk kanë vlerësuar provat e prokurorisë duke vendosur të shpallin të pafajshëm Jambellin, i cili akuzohej për vrasjen e Shpetim Muka, Ervis Shehaj, dhe plagojen e Edvin Zanaj. Por ky I fundit është vrarë disa muaj më vonë në Tiranë.
Vendimi është marrë në qershor të 2014, dhe se në këtë periudhë, Jambelli qëndronte i izoluar në dhomat e burgut të Rrogozhinës. Pavarësisht kësaj pafajësie, prokuroria e ka apeluar vendimin në Apelin e Vlorës, ku prokurori Pelivan Malaj ka kërkuar që Bledar Jambelli të shpallet fajtor dhe dënohet me 25 vite burgim.
Por edhe gjykata e Apelit ka dhënë pafajësi për Jambellin, i cili pas këtij vendimi ka lënë qelitë e burgut të Rrogozhinës dhe se prej këtij moment vendodhja e tij, nuk është arritur të lokalizohet nga policia.Prokuroria e Apelit depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar prishjen e vendimit të pafajësisë dhe dënimin me 25 vite burgim të Jambellit, por çështja nuk u gjykua asnjëherë nga kjo gjykatë.
Gjurmët e gishtave që identifikuan Jambellin
Në periudhën e kësaj vrasje të dyfishtë në Vlorë, policia e këtij qyteti nuk drejtohej nga Artan Cuku. Por me mbëritjen e tij në këtë drejtori, ky i fundit gjatë hetimeve të kryera, ka rënë në gjurmët e kësaj vrasje duke identifikuar dhe arrestuar Bledar Jambellin, të cilin e akuzoi për dy vepra penale atë të vrasjes dhe mbajtjes pa lejë të armëve.
Sipas dinamikës së këtij hetimi në dosje thuhet se:”…gjatë ndjekjes së lëvizjes së mundshme të autorëve në datën 30 nëntor 2006 u bë e mundur gjetja e automjetit tip “Benz” 250 me targa “VL 0942 A”, e braktisur në aksin rrugor Bestrove-Bunavi, automjet i cili u administrua me cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera në lidhje me automjetin e braktisur rezultoi se ishte në pronësi të shtetasit Edmond Veshaj, banor i qytetit të Vlorës, i cili kishte bërë njoftim në datën 19 nëntor 2006 në sallën opertavive të Drejtorisë së Policisë Vlorë për vjedhjen e automjetit të tij. Gjithashtu targat e vendosura në këtë automjet i përkisnin një automjeti tjetër tip “BMË” pronë e shtetasit Foto Nika, banor i qytetit të Vlorës.
Edhe ky i fundit kishte bërë njoftim në Sallën Operative për vjedhjen e targave të automjetit që posedonte. Gjatë këqyrjes së automjetit është konstatuar se automjeti ishte i drejtuar për në drejtim të fshatit Bunavi. Në këtë automjet janë konstatuar disa vrima të shkaktuara nga armë zjarri ku më konkretisht në pjesën e derës së shoferit është konstatuar një vrimë tejshpuese me drejtim nga jashtë-brenda.
Në pjesën e kapakut të bagazhit është konstatuar një vrimë ovale me drejtim nga jashtë brenda.Nga përpunimi i këtij automjeti me pluhur dakliloskopik janë përftuar tre gjurmë papilare gishti me lënie ndjerse yndyrore të emërtuara me gërmën “A” (gjurmë e pjesshme e dy gishtave).
Ato janë gjetur në kundërt me vijën mbyllëse të portës një gjurmë tjetër papilare është gjetur në pjesën e dorezës së brendshme e emërtuar me gërmën “B” dhe e treta në pjesën e pasqyrës së brendshme e emërtuar me gërmën “C”.
Nga krahasimi i kësaj pjese gjurme e emërtuar me gërmen “A” bazuar në aktin e ekspertimit krahasues, rezulton se në tetë karakteristika përputhen me gjurmën e gishtit të unazës së shtetasit Rikardo Muho (Bledar Jambelli).
Gjurmet e dhjete gishtave të këtij shtetasi gjenden në kartelën daktiloskopike për “Transmetim të gjurmëve të gishtave midis vendeve europiane”.Pas këtij konstatimi në datën 6 dhjetor 2012 është ndaluar në Komisariatin e Policisë Rinas, i pandehuri Bledar Jambelli i njohur dhe me emrin “Rikard Muho”. Këtij shtetasi i janë marrë gjurmët daktiloskopike të gishtave dhe të pëllëmbëve./Shqiptarja.com