Dje pasdite, një grup artistësh të cilët janë shprehur kundër ndërtimit të një teatri të ri modern në Tiranë, paralajmëruan protestë kundër një vendimi që pritet të diskutohet sot në Këshillin Bashkiak. Por, në fakt, ky vendim ka për qëllim ndërtimin e më shumë banesave sociale për familjet në nevojë, dhe nuk ka asnjë lidhje me pronën e Teatrit Kombëtar.
Me sa duket artistët kanë dalë bllof, duke ngatërruar thelbin e vendimit, i cili në asnjë rresht nuk flet për teatrin, por përkundrazi. Qëndrimi i këtij grupi artistësh që tanimë doli kundër vendimit për më shumë banesa sociale, u shpërnda në rrjetet sociale nga përfaqësues të PD-së.
Fjala është për VKB “Për përcaktimin e procedurës për negocimin me partnerët privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjeve të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”.
VKB-ja në fjalë është një ide inovative e Bashkisë për të shfrytëzuar edhe ato prona të saj që janë amortizuar me kalimin e viteve. Sipas VKB, pronat që do të zhvillohen sipas kësaj nisme, më pas do të merren sërish në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, për t’u shfrytëzuar për programe të ndryshme sociale, si banesa me bonus qeraje për familjet në nevojë apo pika shërbimi për qytetarët.
Kjo nismë do të bëjë që pronat në pronësi të Bashkisë së Tiranës, por që aktualisht janë ngrehina apo objekte të pashfrytëzuara, do të mund të zhvillohen se bashku me ato private kufitare si cdo pronar tjeter qe merr pjese ne zhvillim, të cilët në përfundim të projektit, do t’ia kalojnë sërish të njëjtën sipërfaqe prone Bashkisë së Tiranës, por tashmë të zhvilluar dhe të gatshme të përdoret për banesa sociale, biblioteka zyra pune, pika shërbimi për qytetarët etj.
Përmes kësaj formule, Bashkia e Tiranës do të marrë mbrapsht të njëjtën sipërfaqe të pronës së mëparshme, para se ajo të zhvillohej, por njëkohësisht do ta shfrytëzojë pronën e saj pa asnjë kosto./e.e