Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për tre ditë me radhë janë shfaqur në të gjitha ekranet televizive shqiptare tepër të shqetësuar. Madje duken dhe shumë të frikësuar.
Duket se i ka zënë një hall tepër i madh, përderisa kanë “pronontuar” mediat afër tyre dhe televizionin e familjes Berisha për të artikuluar sulme të ashpra ndaj ndërkombëtarëve pa dallim.
Me akuzat ndaj Edi Ramës tashmë jemi mësuar, dhe asnjë shqiptari nuk i bën më përshtypje, pasi mund ta quajnë konflikt personal, politik apo luftë për pushtet.
Por me ndërkombëtarët, kryesisht me SHBA dhe BE, sulmi ndaj tyre është i pashpjegueshëm! Pasi janë aleatët tanë të mëdhenj, janë ata që i kanë qëndruar pranë popullit shqiptar që me themelimin e shtetit e deri më tani, duke e mbështetur për reformën në drejtësi, atë zgjedhore, fonde dhe grante të ndryshme për zhvillimin e vendit e deri duke hedhur para pakufi për përballimin e situatës së vështirë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së Covid-19.
Me sa duket asgjë nga këto nuk ka ndikuar që çifti Meta-Kryemadhi të “kafshojnë” gjuhën dhe të kursehet në akuzat ndaj tyre. U del dhe u tepron Edi Rama si “tabelë qitjeje” për sulme!
Duke qënë se Ilir Meta kërkon që të flasim vetëm me fakte, sikurse kemi bërë gjithnjë pa ndalim pasi është deviza jonë e gazetarit që konvergon në këtë qëllim, duke qënë se dhe pjesa më e madhe e mediave nuk i kanë përcjellë akuzat e Presidentit dhe gruas së tij, kryetare e LSI, do t’i marrim me radhë akuzat e tyre kundër SHBA dhe vendeve të BE.
Janë akuza të rënda e mendojmë se ia vlen ta “lodhim” pak lexuesin duke ia përcjellë publikisht dhe njëherë në ligjëratë të drejtë, thelbin e këtyre sulmeve të paprecedenta.
Shkaku i dukshëm i shpërthimit të Metës dhe Kryemadhit ndaj SHBA ditët e fundit ka qenë një çmim i dhënë nga ana e DASH për ish kreun e KED Ardian Dvorani, të cilin e renditën në listën e 12 personaliteteve në botë si “Kampion i Luftës kundër Korrupsionit”. Kaq u desh, dhe Meta e Kryemadhi e morën si një sfidë ndaj tyre, madje kërcënim!
Çmimi kishte dy elementë që nuk i vinin për “osh” kreut të shtetit e kryetares së LSI, që jetojnë në të njejtën çati, në vilën luksoze në Gjirin e Lalzit e herë në pallatet në Tiranë.
E para, ishte nderuar me çmim “armiku” i Ilir Metës, gjyqtari që kërkonte dënimin e Presidentit aktual për “bllokun” e famshëm dhe aferën 700 mijë euro, të denoncuara nga ish ministri i ndjerë tashmë, Dritan Prifti, përmes publikimit të video-përgjimit të famshëm.
Dvorani nuk kërkoi asgjë më shumë, vetëm të merrej si provë dhe ekspertiza e bërë nga FBI amerikane, e bërë me kërkesë të vetë Kryeprokurores shqiptare të asaj kohe, Ina Rama.
E dyta, çmimi për Dvoranin është dhënë për luftën kundër korrupsionit dhe kontributin për mbrojtjen e reformës në drejtësi nga politika, dy elementë që ngrenë në qiell “sentimentin” e çiftit Meta-Kryemadhi!
Kjo shkaktoi një lëvizje nga “kuotat” normale të Presidentit dhe të kryetares së LSI, të cilët pretendojnë se pas 25 qershorit, në një fitore të mundshme të Berishës, të “garojnë” për postin e ministrit të Brendshëm në Shqipëri!
I menjëhereshëm ka qënë reagimi i Metës, i cili bëri një “demonstrim force” rrugëve të kryeqytetit, me disa të rinj të LSI, si për të na kujtuar shprehjen e famshme të Haxhi Qamilit se “sa të kem Shijakun e Kavajën nuk pyes për Evropin”.
Presidenti poston një foto duke ecur përkrah disa të rinjve dhe shkruan: “25 prill – Shqipëria e shqiptarëve dhe kurrë e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare”. Pra cilësoi qeverinë e SHBA mafie ndërkombëtare, madje për vetë potencialin që ka ky vend, i bie të ‘jetë’ dhe kryemafie.
Nuk u mjaftua me kaq po nxori dhe zëdhënësin e tij, dhe në përgjigjie të deklaratave të numrit dy të qeverisë, u deklarua dhe më rëndë kundër ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi. Ku thotë se diplomatët janë të korruptuar.
“O faqezi, Ramaforma jote ngordh më 25 prill me 3 milion shpulla dhe shkelma të shqiptarëve, kundër teje, oligarkëve dhe diplomatëve të korruptuar deri në palcë. Shqipëria e para dhe e pamposhtur”, shkruan zëdhënësi i Presidencës në emër të Ilir Metës.
Duke qënë se iu duken të buta këto akuza kundër SHBA dhe ndërkombëtarëve në përgjithësi, “zbret” në betejë vetë Ilir Meta, me zë dhe figurë në një konferencë me mediat!
“Kryeministri ka nxjerrë një fletëlavdërimi për antikorrupsionin e tij dhe për sukseset e tij, që kjo është një gjë që mua nuk më habit, përpjekja e tij për t’u vetëlavdëruar si kampion i antikorrupsionit dhe i “Ramaformës.
Këto janë si fletët e lavdërimit që merrte Partia e Punës. E mbani mend atë çmimin në Meksikë. Kështu janë dhe çmimet e Edi Ramës për antikorrupsionin.
Raportet e mia me SHBA janë të shkëlqyera. Unë nuk gënjej. Nuk kam shkelur asnjë ligj amerikan. Nuk kam bërë fotografi si gruaja e Bilalit dhe i zbatoj të gjitha ligjet”, tha Meta!
Një sulm i drejtëpërdrejtë ndaj SHBA, ku shkak është çmimi i dhënë për Dvoranin!
Dhe kur kujtuam se sulmet ndaj SHBA e BE kishin përfunduar me këto deklarata të zakonshme tashmë të kreut të shtetit, në “skenë” del bashkëshortja e tij, krytetarja e LSI Monika Kryemadhi.
Ishte akoma më e ashpër, me ato çfarë artikuloi në televizionin e familjes Berisha, ku në një vend normal duhej të ishin tashmë pjesë e një hetimi të thelluar për të nxjerrë në dukje nëse ishin të vërteta ato që tha, dhe në rast të kundërt për të mbajtur përgjegjësi për akuzat e bëra badihava.
Teksa gazetarët të enjten mbrëma e “ngacmuan” sërish me lajmin se DASH e vlerësoi Dvoranin si “kampion të drejtësisë” nga 12 shtete të botës, si person që ka kontribuar për ndalimin e ndikimit të politikës në drejtësi, Kryemadhin nuk e mbajtën më nervat dhe shpërtheu hapur!
“Bravo, çfarë të them. Tani do ketë mundësi të kontribuojë për drejtësinë në SHBA. Pasi në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese shqiptare nuk hyn dot më.
Ndaj i duhet ajo diplomë për në Amerikë, ndoshta kontribuon atje. Shumë veta kanë marrë certifikata mirënjohje. Shiko, mos u çudisni me këto që bën SHBA-ja, se ata vlerësuan dhe Noriegën për paqe, dhe më pas e vranë në kishtë në burg.
Kujtojmë që përplasjet kanë qenë të ashpra mes Presidentit dhe ish-kreut të KED-së, Ardian Dvorani, lidhur me emërimet në drejtësi, për Gjykatën Kushtetuese.
Kreu i shtetit e akuzoi në atë kohë Dvoranin si vegël në duart e qeverisë për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Meta tha se Dvorani kishte bërë qëllimisht një sërë shkeljesh të rënda gjatë procesit për emërimin e anëtarëve të rinj.
Por mesa duket, tjetër mendim kanë SHBA, që kanë vendosur ta rendisin Dvoranin mes personave të tjerë nga fusha e drejtësisë në mbarë botën, duke i dhënë vlerësimin e lartë”, deklaroi Kryemadhi, duke i kujtuar SHBA dhe qëndrimin ndaj ish diktatorit panamez.
Por nuk ndalet këtu Kryemadhi në akuzat ndaj ndërkombëtarëve, duke e kthyer emisionin në barcaletë dhe të denjë për muhabet kafeje në lagjen më të humbur të vendit, ku thashethemi bëhet kasten për të kaluar kohën në momentet kur gjendesh bosh dhe nuk ke çfarë bën!
Kryemadhi akuzoi ndërkombëtarët se vijnë në Shqipëri për të bërë seks, lënë femrat shqiptare shtatzana dhe krisin e ikin. Eshtë fyerje për të gjitha palët dhe në radhë të dytë, një lajm që tashmë është publik, dhe që kërkon një hetim se kush janë këta ndërkombëtarë që bëjnë veprime të tilla. Kryemadhi se ka për herë të parë këtë akuzë, teksa thotë e përmend “turizmin seksual”, apo lajmet e emetuara nga Presidenca në median afër saj dhe nga “snajperët” e rrjeteve sociale, për aferën seksuale të një ambasadori të rëndësishëm me një zyrtare të lartë të shtetit shqiptar!
“Nëse ne do të kishim një Gjykatë Kushtetuese dhe sistem drejtësie të pavarur, nëse nuk do të kishim ndërkombëtarë që lënë vajzat e shqiptarëve me barrë dhe ikin, nuk do ndodhnin këto që kanë ndodhur.
Keni ata që ka larguar Brukseli me karta biancan. Nëse do të kishim një sistem drejtësie dhe një media të pavarur pa ndikimin e atyre që vijnë me mandate 2-vjeçare, gjërat do të ishin më ndryshe. Unë nuk e dija që ambasadori i OSBE do t’i tregonte gishtin vajzave shqiptare dhe do të ikte. …Le të bëjnë dashuri, por të mbajnë përgjegjësi familjare e prindërore”, akuzon Kryemadhi e cila shton se “Basha është shumë europian! Unë jam shqiptar o vlla tipike. Më gjeni një shqiptar që pranon t’i hysh në shtëpi t’i bësh ligjin. Basha është tolerant është i kuptueshëm”.
Pra me këtë rast sulmon dhe Bashën, i cili ka kredeciale normale në raport me ndërkombëtarët, gjë që Meta dhe Kryemadhi nuk e kanë dhe këtë nuk ia falin, pasi u duket si tradhëti ndaj tyre!
Dhe duke hyrë më thellë në sulmin ndaj ambasadorëve, Kryemadhi thotë se ata i shërbejnë qeverisë së socialistëve tani, ashtu sikurse do t’ju shërbejnë pas 25 prillit qeverisë së PD dhe LSI
“Ambasadorët janë shërbëtorë të devotshëm Edi Ramës, siç do jenë nesër shërbëtorët tanë kur të jemi në qeveri. Puna është sa do të përulemi ne ndaj tyre. Se ambasadorët vijnë dy vite dhe ikin, nuk janë budallenj…”, tha pikë për pikë kryetarja e LSI në televizionin e familjes Berisha.
I kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët këto akuza të rënda ndaj ndërkombëtarëve, dhe sikurse e përmendëm duket se është një hall tepër i madh që i ka zënë.
Vetëvetiu të lind pyetje: Nga çfarë kanë frikë çifti Meta-Kryemadhi që janë detyruar të zbrazin të tilla akuza dhe të shpërthejnë në akuza ndaj SHBA dhe vendeve anëtare të BE?!
Me sa duket, intensifikimi i hetimeve të SPAK për dosjet e rënda e mbështetja që SHBA japin në futjen në burg të “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit në drejtësi, shëndetësi e kundër korrupsionit dhe krimit në përgjithësi, ndoshta kanë frikësuar Metën dhe Kryemadhin.
Janë në qeverisje për gati 30 vite dhe nuk kanë shpëtuar nga “mëkati”. Nuk po evidentojmë akuzat për vila dhe shtëpi që kanë vënë pa hesap vetëm me dy rroga shteti, sado të mëdha. As për shkollimin e fëmijëve në shkollat më të shtrenjta të Londrës. As për pasuritë e tjera.
Thjeshtë po mbështetemi në akuzat që ka bërë Sali Berisha, aleati më i ngushtë i Metës në ditët e sotme, për korrupsion e deri për vrasje me pagesë!
Duke mos e përmendur më “bllokun” dhe ryshfetin 700 mijë eurosh të dalë nga video-përgjimi i Priftit, për shkak të të cilit u vranë 4 demonstrues “kokëpalarë” para kryeministrisë nga Garda, ajo që mund të themi është se Sali Berisha ka bërë mbi 30 akuza të rënda ndaj Ilir Metës.
E ka akuzuar për aferën e vagonave në qeverisjen e parë, tenderat e rrugëve, privatizimin e telefonisë celulare, vdekjen e dy punëtorëve në biznesin e interteve në Dajt dhe fshehjen e tyre, si pronar të DIA-CEZ , duke negociiuar në favor të saj në Pragë, sipas Berishës, pa autorizimin e tij si kryeministër, për vrasjen me pagesë të deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi dhe akuza të tjera.
Mjafton të “goglosh” dhe gjenden të gjitha në këtë motor kërkimi! Eshtë ky privilegj! Janë akuza publike vetëm të Berishës ndaj Metës këto, të kuptohemi!
Mos është frikësuar nga mundësia përfshirjes në “radarin” e SPAK dhe të hetimit të aferave të politikës në këto 30 vite, ku pjesë e kësaj politike ka qënë dhe Meta si ministër, zv.kryeministër dhe Kryeministër?!
Ndryshe nuk ka si shpjegohet kjo valë sulmesh ndaj ndërkombëtarëve, të cilët mbështesin hetimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion./M.N-TemA