Përplasjet për rrugën e Selenicës mes Presidentit Meta dhe qeverisë sollën bllokimin e huasë së Fondit Saudit. Meta doli kundër dhënies së pëlqimit që fondi i parashikuar të kalojë për rrugën Vlorë-Orikum. Kjo ishte dhe molla e sherrit për pothuajse një muaj mes Ramës dhe Metës.
Sot u bë e ditur se qeveria ka gjetur një zgjidhje tjetër që shmang Metën nga dhënie e pëlqimit për rrugën Peshkëpi-Selenicë. Në lojë është futur Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka hapur tenderi në vlerën e 9 milionë dollarëve amerikanë.
Gazeta Shqip ka mësuar se FSHZH ka shpallur sot tenderin dhe brenda marsit, pra datës 23 duhet të shpallet fituesi i këtij tenderi. “Fondi limit është 749,685,499.69 lekë pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: 12 muaj”, thuhet në njoftim të Fondit. Pra ky akt shmang dërgimin në presidencë për marrjen e lejes së huasë për investimin e këtij projekti.
Gjithashtu këto punime nuk do të bëhen duke marrë borxhe, por sipas dokumentit të disponon Gazeta “Shqip” do të realizohet nga Buxheti i Shtetit. “Financimi do të bëhet sipas PBA-së miratuar me ligjin e buxhetit”, thuhet në këtë dokument.
Në dokumentin e prokurimit theksohet se qeveria Shqiptare i ka kushtuar vëmendje të veçantë realizimit të rikonstruksionit të segmentit rrugor “Pëshkepia – Hyrje e Qytetit Selenice”, duke qenë se ky aks rrugor rezulton të ketë një dimension strategjik për zhvillimin e turizmit në zonën rreth Lumit të Vlorës.
Gjatësia totale e rrugës është 14.64 km. Pothuajse i gjithë aksi i rrugës së re kalon në gjurmë ekzistuese. Gjerësia asfaltike e rrugës është 5.5 metra.
“Projekti ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik në të dy nivelet, rajonal dhe lokal, me ndikime shumë të dukshme sociale dhe ekonomike. Rindërtimi i rrugës do të krijojë një korridor të ri, më tërheqës, më i sigurt dhe më i shkurtër se rruga ekzistuese që do të lidhë rajonin e Vlorës dhe territoret e jugut me bregdetin e Jonit.
Ndërsa, ndërhyrja e propozuar përfaqëson një projekt të rëndësishëm për zhvillimin rural për komunitetin e lumit Vlorë përmes përmirësimit të aksesit në shërbimet e popullatës lokale të disa fshatrave”, thuhet më tej.
Rruga fillon në fshatin Peshkëpi, në lidhjen e rrugës Selenicë-Peshkëpi me rrugën Vlorë-Kuç-Qeparo. Kjo rrugë është pjese e rrugës së Lumit të Vlorës, e cila lidh rrugën Levan-Tepelenë me zonën e Jugut te Shqipërisë. Kjo rruge kalon në fshatrat Peshkëpi, Armen, Lubonjë, etj.
Gjatësia totale e rrugës është 14.64 km. Gjerësia asfaltike e rrugës është 5.5metra dhe bankine /kunete 0.5 metra nga të dy kahet. Për gjatë gjatësisë se saj rruga ka kanale dheu dhe tombino që shërbejnë për drenazhimin e ujërave të shiut. Në 3 zonat urbane, për largimin e ujërave të shiut kemi projektuar një sistem me kuneta dhe tuba HDPE KUSH.
Rruga ekzistuese rezulton në kushte të këqija, me shtresa të përkeqësuara të rrugës, struktura të dëmtuara kullimi, mungesë të shenjave të trafikut etj. Rruga Selenicë-Peshkëpi është rikonstruktuar më shumë se 15 vjet më parë, financuar nga Bashkia e Selenicës.