Kryeministri Edi Rama u ka bërë sot thirrje bizneseve të mëdha dhe ka thënë se nuk do të ketë ulje taksash për ta për sa kohë që ai të jetë në qeveri.
Kreu i qeverisë tha se taksa e sheshtë është për të pasurit dhe godet ata që paguhen më pak. Sipas tij çdo biznes i madh që do ulje taksash mos të votojë për PS-në.
“Taksa e sheshtë është për ata që fitojnë më shumë dhe goditje për ata që fitojnë më pak. Ndërsa taksimi i ndershëm, taksa progresive mbështet më shumë ju se ata.
Ne nuk do të rrisim taksën për biznesin e madh, por as nuk do ta ulim. Çdo biznes i madh që do ulje takse mos të votojnë për ne, pasi ne nuk do ta ulim taksën. Nuk do të kenë as atë taksën e fshehtë që e dinë ata se sa paguanin për ata që qeverisnin dhe xhandarët e tyre”, tha Rama.
Deklaratat e Ramës janë bërë gjatë një konference me fokus ekonominë, ku ishte bashkë me ministren e Financave, Anila Denaj.