Gjykata e Lartë i dha fund dëshirës së ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për të “shpëtuar” nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme.
Një Kolegj Penal i shkallës së tretë të gjyqësorit vendosi se Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për gjykimin e Llallës në lidhje me akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Në rekursin e bërë në Gjykatën e Lartë, Llalla kundërshtoi vendimin e Apelit që i risekuestroi pasuritë dhe kërkoi shpallje të moskompetencës, me pretendimin se vepra penale për të cilën akuzohej duhet të gjykohej nga Gjykata e Tiranës.
Argumentet e tij nuk kanë bindur gjyqtarët e Lartë, që lanë dosjen në duart e të Posaçmes. Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi një kërkesë të Llallës për përjashtim nga gjykimi i kryesueses Daniela Shirka.