Maqedoninë e Veriut dje një ndër lajmet kryesore ka qenë ky: një grup i «besimtarëve myslimanë» ka themeluar dhe regjistruar në Shkup të ashtuquajturën «Bashkësia Islame Selefiste Dar el Hadith».
Me këtë akt synohet ndarja nga Bashkësia Islame e Maqedonisë së Veriut si institucion i vetëm zyrtar që përfaqëson besimtarët myslimanë.
Çuditërisht vendimin për të lejuar regjistrimin e «bashkësisë selefiste» e ka nënshkruar gjykatësja Suzana Donçevska.
Themelimi i kësaj organizate që synon të përfaqësojë paraxhematin mysliman është një veprim i rrezikshëm, që ka për synim me gjasë ngritjen e tensioneve mes besimtarëve myslimanë dhe futjen e një pyke të rrezikshme për të përçarë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut ka protestuar ashpër kundër vendimit të gjykatëses Donçevska.
Kur bëhet fjalë për maqedonasit sllavë, drejtësia e Shkupit sillet krejt ndryshe dhe nuk lejon përçarjen e besimtarëve.
Siç dihet Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) prej dekadash nuk pajtohen mbi statusin e Kishës Ortodokse në Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 1950 kisha serbe i dha autonomi kishës maqedonase. Më 1967 kisha maqedonase shpalli autoqefalinë e saj.
Kur në vitin 2002 teologu ortodoks Jovan Vranishkovski u deklarua për unitet kanonik të kishës maqedonase me atë serbe, ai u nxor para gjyqit 5 herë dhe gjithsejtë ka kaluar në burg 5 vjet e 6 muaj.
Mediat në gjuhën shqipe në Shkup njoftojnë se pas «bashkësisë fetare selefiste» qëndron një person me emrin Xhemal Jakupi.
Ai mendohet se është nga Shkupi. Me gjasë atë nuk e pret fati i njëjtë sikur Jovan Vranishkovskin.
Liderët shqiptarë në Maqedoni duhet ta trajtojnë me urgjencë rastin e «rebelimit selefist» për shkak se bëhet fjalë për një tendencë shumë të rrezikshme dhe potencialisht shkombëtarizuese.(E.Robelli)