Byroja Kombëtare e Hetimit pritet që këtë pranverë të nisë nga puna. Plani ishte që në janar ajo të ishte gati, por sipas burimeve arsyeja e vonesës është për shkak të verifikimeve të thelluara për 39 kandidatë për hetues.
Ata i kaluan të gjitha fazat e testimit dhe në fund plotësuan nga një formular për pasurinë. Sipas burimeve verifikimi i pasurisë po merr shumë kohë, ndërsa po ashtu po bëhen verifikime dhe për figurën e gjithësecilit. Një burim në SPAK i tha gazetës se verifikimi është shtrirë deri në nivele kushërinjsh, krushqish dhe të afërmish. Patjetër që familjarët janë skanuar më me hollësi.
Plani është që të zgjedhin emra që së pari nuk kanë pasur kurrë probleme me ligjin, nuk kanë në fis a familje persona me rekorde kriminale, po ashtu që nuk kanë pasuri të dyshimtë. Të gjitha pronat e deklaruara po kalojnë në sitë dhe SPAK po bashkëpunon fort me ILDK, Drejtorinë e Pastrimit të Parave dhe Institucione të tjera ligjzbatuese.
Megjithatë sipas burimeve, verifikimet janë drejt fundit dhe shumë shpejt BKH do të dalë me njoftim se kush janë hetuesit që do të punësohen. Më pas ata do të dërgohen në SHBA për trajnim. Sipas amerikanëve, ata do të kalojnë disa muaj në Virxhinia ku do të mësojnë të gjitha teknikat e hetimit, vetëmbrojtjes, etj.
Konfirmon Ibrahimi
Ai që e ka konfirmuar një gjë të tillë është dhe kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Në një intervistë ai tha se punë ditësh është ngritja e BKH. Sipas Ibrahimit faza e verifikimit është në fund. “Ajo që po ndodh më BKH-në është ajo që ndodh me ata që quhen “viktima të suksesit” dhe ne jemi viktima të suksesit.
Sistemi që është ndërtuar për të filtruar kandidatët që duhet të jenë pjesë e BKH-së, është aq ekzigjent dhe aq i fortë saqë kërkon një kohë shumë të madhe. Në këto kushte, për hir të një përzgjedhjeje të mirë, sa i takon thelbit të atyre që do të punonin të ardhmen në BKH, kjo është ajo çfarë po shohim sot. Ne sot kemi drejtuesin e BKH-së dhe një grup kandidatësh që janë në fazën finale të përfundimit, sepse të përfundosh oficer në BKH duhet të kalosh disa teste të vështira.
Por, ata duhet të kalojnë edhe vetingun, siç bëjmë edhe ne me magjistratët. Vetingu është një proces që zgjat, por edhe aty janë në një fazë të avancuar. Por, nuk mund të them unë kur do të jetë funksionale BKH. Kjo është një pyetje për drejtuesen e BKH-së dhe atë të SPAK. Por, nga informacionet e mia, ata janë në fazën finale”, tha Ibrahimi.
Njoftimi i komisionit
Pak kohë më parë komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve, njoftoi se si do të kalojnë në skaner kandidatët, duke filluar nga pasuria, deri te figura. “Kandidatët që kanë kaluar fazat e testimit dhe janë përzgjedhur, sipas nenit 6(3) të Ligjit për SPAK, do të dorëzojnë deklaratat e kontrollit të pasurisë dhe deklaratën e vlerësimit të figurës, (sipas Shtojcës A, Shtojcat B2, B3 dhe Shtojcën C të Ligjit).
Verifikimet e pasurisë dhe figurës do të kryhen nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, sipas parashikimeve në Nenin 6(6) të Ligjit. Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve do të dorëzojë, brenda një periudhe maksimumi prej 120 ditësh, një raport të detajuar Drejtorit të BKH-së mbi “Ligjshmërinë e burimeve të pasurisë dhe pastërtisë së figurës”.
Ky raport do të përbëjë një pjesë të dosjes personale të kandidatëve të suksesshëm, e mbajtur nga Drejtuesi i BKH- së”, njoftoi komisioni.