“Nuk mendoj se Rama paralajmëron arrestime, ai po bën një operacion elektoral, por kërkon të komunikojë me votuesit.
Kur vjen puna te arrestimet nuk besoj që mund të arrestohet Berisha apo dhëndri i tij apo fëmijët e tij, të paktën jo në këtë moment”.
Kështu u shpreh analisti Mustafa Nano i pyetur për problemin në kompleksin “Partizani”, ku sipas një investigimi të Report TV, ish-kryeministri Sali Berisha privatizoi qendrën për ta dorëzuar tek dhëndri i tij Jamaber Malltezi dhe trashgimtarët e tjerë.
“Kryeministri duhet të lejojë SPAK të hetojë ashtu si ai di. Është një apel që e kam bërë që në fillim.
Nëse bëhen arrestime duhet ti bëjë SPAK.
Për çdo arrestim ka lidhje vetëm SPAK. Nëse i urdhëron dikush, atëherë unë jam naiv shumë”, shtoi më tej Nano.
Lidhur me investigimin reagoi më herët edhe kryeministri Edi Rama, i cili bëri thirrje drejtësisë ë zbardhë këtë histori të cilën e quajti të hatashme dhe keqbërëse ndaj shtetit, pronës dhe shoqërisë.
“Mirëmëngjes dhe me këtë dokumentar investigativ tejet interesant të Report TV, duke ngritur pyetjen se sa e madhe qenka kjo çorbë vallë përderisa kjo është vetëm njëra nga tre seritë e dokumentarit, si edhe duke shpresuar se institucionet e reja të drejtësisë, të cilat kanë nisur të ndezin dritën e shpresës tek drejtësia në këtë vend pas 100 vjetësh padrejtësi, do ta zbardhin deri në fund nën dritën e ligjit një histori kaq të hatashme keqbërjeje ndaj shtetit, pronës, shoqërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.