Analisti Frrok Çupi i ka cilësuar zgjedhjet e fundit parlamentare të së dielës, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje, si një proces që mbylli një krizë për të hapur një krizë tjetër.
Teksa ishte i ftuar në një studio televizive ku komentoi zgjedhjet në Kosovë dhe shpalljen e rezultateve brenda 24 orëve, analisti Çupi bëri një krahasim me zgjedhjet e vitit 1992 në Shqipëri. Sipas tij, fitorja e LVV nuk ka as lavdi pasi ajo nuk është subjekt politik, por marrëveshje.
“Edhe në vitin 1992 Partia Demokratike fitoi si referendum dhe humbi pas 4 muajsh. Në këto zgjedhje, kemi një parti që fiton pa e ditur se ç’po bën, është një parti një aleancë”, deklaroi ai. Më tej analisti Çupi u shpreh se sërish Kosova do të përballet me krizë, ndërsa paralajmëroi se Albin Kurti si kryeministër nuk e çon mandatin deri në fund.
“Kjo është një krizë që zgjidhi një krizë. Kosova shumë mirë që e bëri këtë gjë, zgjodhi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin që të mbyllte një krizë. Por, tani hyn në një krizë tjetër dhe mandati nuk mund të shkojë deri në fund”, u shpreh ai. Ndërsa procesin zgjedhor, të zhvilluar qetësisht dhe që tregoi qytetari, analisti Çupi e argumentoni me faktin se në Kosovë ka më shumë kulturë dhe qytetari se sa në Shqipëri.
Madje, zoti Çupi theksoi se në Shqipëri nuk ekziston dhe kultura e njohjes së rezultatit. Sipas tij, kjo kulturë mungon në Shqipëri dhe se në Kosovë u dha shembulli që Isa Mustafa dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të LDK-së pas humbjes së zgjedhjeve. “Mendoj se nuk duhet të ketë paralele mes Shqipërisë dhe Kosovës, e në fakt nuk e gjej të arsyeshme që të ketë paralele, e vetmja gjë e përbashkët është etnia, por me ligjet e demokracisë nuk mund të ecet me paralele.
Kosova është shtet tjetër dhe Shqipëria shtet tjetër, e kanë diferenca të mëdha. Janë bërë zgjedhje shumë të mira dhe kanë bëjnë me tre faktorë: se është baza mbi qytetarinë, në Kosovë ka qytetari më shumë se në Shqipëri, ishte ndërtuar në diktaturë dhe tani nuk është. Kosova ka jetuar në shtet më me bazë se në Shqipëri, komunizmi ishte një limonadë në krahasim me Shqipërinë. Kanë jetuar me komunizmin, dhe kanë pasur një Parlament pluralist në Jugosllavi, si dhe kanë pasur mundësi të jetojnë jashtë”, nënvizoi analisti Frrok Çupi.