Avokat Spartak Ngjela e sheh SPAK si çelësin për të mundësuar një përmbysje të madhe si në Kosovë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani fituan bindshëm në zgjedhje, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha partitë e vjetra, nga LDK te PDK apo AAK. Në Shqipëri prej 30 vitesh qeverisin dhe drejtojnë të njëjtat parti e të njëjtit njerëz.
Por për avokatin, përmbysja e madhe mund të vijë vetëm nëse nisin arrestimet. Në Kosovë, u arrestuan shumë emra të njohur dhe kjo i krijoi rrugë të lirë Kurtit. Sipas avokatit, kjo gjë duhet të ndodhë edhe te ne. “Specialja e Kosovës, para disa muajsh, e pastroi rrugën në zgjedhjet politike të 14 shkurtit me arrestimin e krerëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Ky pastrim solli përmbysjen e madhe të korrupsionit në Prishtinë. Pas kësaj, procesi duhet të vijojë në të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Po SPAK-u i Shqipërisë, a do t’ua pastrojë rrugën shqiptarëve në zgjedhjet politike të prillit, duke arrestuar krerët e korrupsionit të lartë shtetëror dhe të krimit të organizuar në Shqipëri? Këtë po presin shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët. Shqipëria është tamam në kohë”, tha ai. Më tej avokati deklaroi se shumë shpejt do të jetë gati edhe Byroja e Hetimit, e cila rrit shpresat se prangat do të kërcasin dhe për politikanët.
“A e din politika dhe ekspertiza amerikane këtë? Po Byroja Kombëtare e Hetimit, kur do të konstituohet plotësisht me hetuesit e saj? Ne mendojmë se shumë shpejt do të fillojë edhe në Shqipëri procesi i likuidimit me akuzë penale për të gjithë të korruptuarit e politikës së lartë shqiptare dhe të bandave të tyre.
Në fakt, ky është vijim i procesit ligjor antikorrupsion në Shqipëri”, tha avokati më tej.
Pastrimi nga filorusët
Sipas avokat Spartak Ngjelës, Gjykata e Hagës ishte ajo e cila solli ndryshimin e madh në Kosovë. Nga ana tjetër u shpreh se SPAK duhet të ndëshkojë filoserbët dhe filorusët në Tiranë. “Në Tiranë po pritet me padurim që SPAK-u të fillojë arrestimet e korrupsionit të lartë shtetëror. Duhet të theksojmë se, të korruptuarit e Tiranës sot, në shumicën e tyre, beogradas dhe moskovitë janë.
Shumë shpejt keni për t’i parë dhe dokumentet e zbardhura për ta; sepse edhe këta, të njëllojtë janë, mu ashtu si përgjatë këtyre dy shekujve të fundit, ku janë shitur drejt Beogradit thuajse të gjithë krerët e shtetit shqiptar”, tha avokati. Sipas tij, shqiptarët kanë nisur të forcohen në Ballkan, ndërsa ka marrë si shembull edhe Maqedoninë e Veriut.
“Kjo është gjendja e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sepse ne këtë kah lëvizjeje po ecën edhe Maqedonia e Veriut me shqiptarët, në procesin e shkatërrimit të gënjeshtrës shekullore për përqindjen e tyre në atë shtet dhe për falsifikimin e prejardhjes së shqiptarëve.
Tani po kuptohet pse janë të çorientuar pushtuesit shekullorë të trojeve shqiptare, sepse Specialja e Kosovës, para disa muajsh dhe zgjedhjet e 14 shkurtit që e pastruan shtetin shqiptar të Kosovës nga beogradasit, po flasin për një epokë të re të shqiptarëve në trojet e tyre etnike”, tha dje avokati në rrjetet sociale. Dy ditë më parë në një linjë me të ishte edhe Kreshnik Spahiu. Ai shprehej po ashtu se vetëm arrestimi mund të shpëtojë Shqipërinë nga kjo kastë politike që drejton vendin.