Një ditë pas marrjes së ngarkesës së dytë të vaksinave nga “Pfizer”, dje ka nisur vaksinimi në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.
Procesi u ndoq nga afër nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Nis vaksinimi antikovid për të moshuarit në pikat më të dobëta të vijës së mbrojtjes, që janë Shtëpitë e të Moshuarve, aty ku Armiku i Padukshëm ka goditur pa mëshirë në të gjitha shtetet”, tha Rama. Kryeministri vlerësoi punën që është kryer në Shtëpitë e të Moshuarve gjatë periudhës së pandemisë, ndërkohë që theksoi se, “në Europë është bërë nami”.
“Është realisht fat dhe arritje e madhe që ne nuk kemi pasur goditje në shtëpitë e të moshuarve, se në Europë është bërë nami. Kjo e lidhur me sakrificat e mëdha të gjitha stafeve që kanë izoluar veten bashkë me të moshuarit dhe kanë shmangur zinxhirin e infeksionit”, tha Rama. Ndërkohë ministrja Manastirliu tha se u morën masat për të mos lejuar depërtimin e virusit në shtëpitë e të moshuarve.
“Ne i kemi mbajtur stafet e mbyllura. Në fillimet e pandemisë të gjithë stafet e kujdestarëve ishin të izoluara dhe bënë një sakrificë shumë të madhe. Tani jemi në kuadër të vaksinimit të kombinuar dhe do të bëjmë vaksinat për gjithë të moshuarit”, tha ajo. Ajo u ndal te transformimi që janë bërë në shtëpitë e të moshuarve, të cilat kanë tani standarde dhe kushte shumë të mira.
“Ne e kemi pasur merak këtë punë. Kushtet në shtëpitë e të moshuarve kanë ndryshuar rrënjësisht. Ne kemi vendosur bonus 500 mijë lekë mbi pagën për punonjësit”, tha ministrja. Më pas Rama dhe ministrja inspektuan punimet për ngritjen e spitalit të ri në Laç.
Spitali i ri, me një projekt të mirëkonceptuar synon të përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme, nevojën për shërbimet shëndetësore bazë, të ofruara përmes një infrastrukture moderne me kushte optimale. “Që në momentin që filluam punën për spitalin e ri morëm dhe një model se si duhet të jetë një spital bashkiak, duke parë edhe prirjet demografike, por edhe nevojën për një shërbim bazë.
Spitali do të ketë 40 shtretër dhe ndërkohë do të ketë modelin e një spitali 24 orësh. Do të ofrojë shërbimet e emergjencës, shërbimet patologji, shërbimet pediatri dhe shërbime të maternitetit. Ndërkohë që do të ketë edhe poliklinikën, d.m.th, konsultat brenda një godine. Spitali që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit ka qenë spitali që ofronte shërbime për pjesën më të madhe të popullatës, por sigurisht me prurjet demografike ishte kufizuar në një ambient. Ndërkohë që spitali i ri do të ketë të gjithë parametrat bashkëkohorë dhe është planifikuar që të ofrojë të gjithë shërbimet të integruara dhe të mundësojë pikërisht shërbim më cilësor për qytetarët”, tha Manastirliu.