Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati foli në lidhje me programet e partive politike të PD, LSI si dhe dekretin e kthyer nga presidenti Ilir Meta.
Bushati u shpreh se presidenti është duke bërë atë që ka bërë gjithmonë, po sjell dekrete me frymë opozitare. Ai tha se kjo gjë nuk i shkon figurës së presidentit. Sipas tij në vend që Meta të jetë President i Republikës së Shqipërisë, ai vjen si president i LSI duke lënë pas kështu kushtetutshmërinë e duke ecur në koncepte opozitare.
“Ajo që shohim në këtë dekret është si të gjitha dekretet që shohim nga presidenti, nuk ka të bëjë fare me Kushtetutën, por me një koncept politik që presidentit nuk i takon. Lutemi që presidenti të sjellë çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë jo konceptin opozitar. Sepse dekretet na vijnë në një frymë opozitare dhe në vend që të jetë president i vendit, Meta vjen si president i LSI.
Më vjen keq që këto projektligje po shtyhen me arsye opozitare”, tha Bushati. Në lidhje me programet politike, Bushati foli për programin e Partisë Demokratike ku e quajti atë një tufë premtimesh elektorale e dëshirore që nuk sjellin asnjë risi në ekonomi. Ai u shpreh se çorba elektorale e PD është duke sjellë një politikë, e cila nuk bën aspak sens ekonomik. Sipas tij këto oferta sjellin një dëm të madh ndaj ekonomisë shqiptare dhe politikës. “Do doja të thoja 2 fjalë premtime boshe.
Premtimet boshe të gjitha kanë hipur në tramvajin e Bashës. Një tufë premtimesh elektorale që janë në mënyrë dëshirore dhe nuk sjellin asnjë risinë ekonominë shqiptare. Kjo çorbë elektorale ka të bëjë me një taksim të djathtë dhe një taksim të majtë, nuk bën sens ekonomik. Para qytetarëve po sillen një amalgamë politikash që s’bëjnë sens ekonomik. Gjithçka që po sillet sot me një gjuhë politike të pa sens s’ka në thelb asnjë orientim të majtë të djathtë apo të qendrës.
Në qoftë se PD ose LSI duan patjetër të hyjnë në zgjedhje si një forcë, mënyra që kanë zgjedhur për të shkrirë me forcë programet kanë bërë që të kemi një Frankenstein politik dhe ekonomik. Në këtë kohë oferta të tilla vetëm e dëmtojnë ekonominë shqiptare dhe në fund të ditës do kenë një dëm edhe kundrejt politikës”, tha ai.