Shtohen pikëpyetjet për rikandimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në zgjedhjet e 25 prillit. Fillimisht ish-kreu i PD dukej shumë i sigurt për të marrë pjesë në këto zgjedhje, por javën që lamë pas ai dukej tepër i pezmatuar.
Në një intervistë të enjten, Berisha dukej shumë i tërhequr duke vënë seriozisht në pikëpyetje rikandidimin. “Atë nuk e mbaj unë sekret.
Ai është një vendim që do ta shpallë për gjithë deputetët e tjerë Partia Demokratike. Dhe unë e gjykoj se nuk do ishte një veprim i justifikuar nga ana ime të flisja para vendimeve të partisë. Nuk mund të flas para vendimeve të partisë. Asgjë nuk ka mbi ligjin e partisë në këtë periudhë”, tha Berisha.
Por pse kjo tërheqje e tij? Sipas informacioneve, kohët e fundit presioni amerikan në PD-PS është shtuar ndjeshëm. Ambasadorja amerikane prej kohësh ka trumbetuar rotacionin politik. Madje në një intervistë televizive ajo dha sinjale se ka ardhur koha e rotacionit gjë që u pa nga PD si një lëvizje për ardhjen e saj në pushtet.
Ndërkohë kohët e fundit ambasadorja ka nisur një betejë për dekriminalizimin dhe ka goditur kryesisht PS duke sulmuar Tom Doshin nga njëra anë dhe duke dërguar mesazhe se nuk duhet të kandidohen njerëz që janë larguar nga partitë e tjera. PS mori pranë saj Gledion Rehovicën, i cili u largua nga Parlamenti për shkak të dekriminalizimit. Pra nëse i rendisim bashkë, amerikanët e kanë shtuar dozën e kritikave ndaj PS dhe kanë trumbetuar rotacionin.
Yuri Kim bëri një tërheqje sa i takon Tom Doshit, por dhe kjo duket se ishte lëvizje për të balancuar situatën, pasi deklarimet për rotacion nuk u pritën mirë nga PS. Nga ana tjetër, mësohet se janë vënë kushte dhe ndaj PD, në mënyrë që të arrijë te rotacioni. Kushti kryesor është pikërisht nxjerrja e Sali Berishës nga jeta aktive politike, pasi ai shihet si person që mund të ndikojë negativisht në qeverisje, në Parlament, në reforma etj.
Vetë disa eksponentë të PD i kanë dërguar mesazhe ish-kryeministrit se koha e tij ka mbaruar. Basha nuk mund ta heqë nga lista sepse krijon krisje në PD, prandaj po luftohet shumë që ai të deklarojë publikisht tërheqjen. Lëvizjet e ambasadores duket se kanë qenë të mirëmenduara, pasi po ushtrohet presion ndaj të dyja palëve. PS i kërkohet që të mos tentojë më të afrojë persona që janë subjekt i dekriminalizimit, ndërsa në PD kërkohet largimi i Berishës.
Lëvizjet e SHBA
Nëse shohim me detaje lëvizjet e ambasadores amerikane, vetëm falë saj dy emra nuk arritën të jenë në politikën aktive. I pari është ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Ky i fundit u shpall non grata dhe i hoqi mundësinë që ai të futej në listën e kandidatëve për deputetë. Dako ishte koordinator i PS për Durrësin dhe plani ishte që ai të kandidonte për deputet në këto zgjedhje. Emër tjetër që u penalizua ishte gjyqtari Gjin Gjoni.
Ky i fundit dha dorëheqjen dhe baza demokrate e propozoi kandidat për deputet. Kjo solli dhe një reagim të fortë të ambasadës amerikane. Tom Doshi ishte emri i radhës që u përmend, por ambasadorja disi u tërhoq duke kërkuar nga PS që të mos marrë votat e tij. Pra nëse shohim, 2 të parët janë penalizuar nga SHBA dhe Tom Doshi u sulmua publikisht.
Kjo do të thotë se amerikanët kur duan diçka i shkojnë deri në fund. Më i rrezikuari në këtë mes është pikërisht Sali Berisha. Basha dhe një numër i madh deputetësh janë zbuluar se ku do të kandidojnë, por nuk ka një vendim fiks për Berishën. Herët tjera ish-kryeministri dukej i sigurt se do ishte pjesë e listave, por të enjten ai dukej i tërhequr dhe lëvizjet e amerikanëve duket se e kanë pezmatuar. Mbet të shihet, por lista e SHBA me emrat që duhet të jenë jashtë politikës është e gjatë, ndërsa ambasadorja ka premtuar se do të flasë dhe për emra të tjerë.