Nga Mero Baze
Kanë ndodhur tre gjëra të mira sot nga zgjedhjet në Kosovë.
Së pari ka ndodhur ndryshimi i qartë politik. “Vetëvendosja” ka marrë mandatin, legjitimitetin dhe përgjegjësinë për të qeverisur Kosovën, sipas ‘exit poll’-eve të para.
Prej sot, mbaron periudha e përrallave populiste dhe demagogjisë patriotike apo spekullimeve me qeverisjen dhe fillon përgjegjësia ndaj Kosovës. Dhe tani përgjegjësia ka emër, quhet “Vetëvendosje”.
Së dyti janë bërë zgjedhje shumë të mira. Procesi ka qenë korrekt, konstruktiv dhe pa tendenca manipulimi deri në momentin e votimit. Të shpresojmë që kështu do të vazhdojë dhe numurimi, që rrezikon të bjerë nën euforinë e fituesit të shpallur.
Së treti ka ndodhur mobilizimi qytetar për të votuar. Një vend që ngrihet të votojë apo që bën sakrifica si diaspora e Kosovës për të votuar, është një vend që nuk vdes kurrë.
Sa herë që një vend bie në pesimizëm dhe depresion, nuk voton. Por kur ngrihen të gjithë të votojnë, do të thotë se ata nuk janë dorëzuar. Dhe këto zgjedhje e provuan këtë.
Debatet e mëtejshme me kë do ta formojë qeverinë “Vetëvendosja”, kush do jetë President, e sa do zgjasin negociatat, duhet t’ua kursejnë shqiptarëve.
Albin Kurti duhet të dëshmojë përgjegjësi për të formuar sa më shpejt institucionet, nën frymën e tolerancës dhe bashkëpunimit me të gjitha palët dhe të nxjerrë Kosovën nga hendeku ku e ka zhytur kriza e fundit politike, e cila ishte pikë së pari një truk i Albin Kurtit, për të arritur këtu ku arriti.
Kosova e pagoi çmimin e “vetëviktimizimit” të tij, duke ja kthyer një mandat më të sigurt dhe më të plotë. Tani Albin Kurti nuk mund të vazhdojë të hiqet më si viktimë. E vetmja që mund të bëhet viktimë e tij është Kosova.
Ndaj prej sot ai është i dënuar të jetë i përgjegjshëm, gjithpërfshirës dhe tolerant me gjithë faktorët e tjerë politik të Kosovës, pa të cilët nuk bën dot asgjë për të mirën e Kosovës edhe pse mund t’i ketë votat për të drejtuar shtetin e Kosovës.
Tani ai nuk mund të shtiret më, as si viktimë e Agim Veliut, as si viktimë e Hashim Thaçit, apo Riçard Grenellit, as si viktimë e ideve të tij “të mëdha” mbarëshqiptare.
Ai tani është thjesht përgjegjës për Kosovën. Përgjegjësia për Kosovën ka emrin e tij.