Një aksident i rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Durrës-Tiranë, ku si pasojë e daljes nga rruga të mjetit ambulancë, ka humbur jetën një 71-vjeçare, e cila po transportohej drejt spitalit.
Mësohet se ambulanca ishte nisur nga Saranda drejt Tiranës, po aksidenti ka çuar në tragjedi, ndërsa vijojnë hetimet lidhur me aksidentin e rëndë. Viktima është identifikuar si A. Shehu me banim në qytetin e Sarandës.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në datë 14.02.2021, në orën 03:45, në autostradën Durrës-Tiranë, shtetasi I. D., 51 vjeç, banues në Sarandë, duke drejtuar mjetin ambulancë, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga, e për pasojë ka humbur jetën shtetësja A. Sh., 71 vjeçe e cila ishte paciente në ambulancë.
Drejtuesi i ambulancës është shoqëruar në ambjentet e Policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.