Një tërmet me magnitutë 7.1 ballë të shkallës Rihter, ka goditur pjesën verilindore të Japonisë. Mediat e huaja shkruajnë se dridhja e fuqishme u regjistrua në orën 23:00 sipas asaj lokale.
Madje lëkundjet janë ndierë dhe në Tokio. Raportohet se thellësia e epiqendrës së tërmetit ishte 60 kilometra nën sipërfaqen e tokës.
Agjencia shkroi se mund të ketë ndryshim të nivelit të detit përgjatë bregdetit japonez, por nuk priten dëme materiale.
Agjencia e Motit tha se nuk ka ndonjë rrezik për cunami pas dridhjes së fuqishme, ndërsa qeveria menjëherë themeloi task-forcë për t’u marrë me gjendjen e krijuar pas tërmetit.
Sakaq, kujtojmë se Japonia shtrihet në të ashtuquajturën “Unazë e zjarrit”, që është zonë me aktivitet të lartë sizmik përreth Oqeanit Paqësor, dhe shpesh goditet nga tërmetet.
Në mars të vitit 2011, Japonia ishte goditur nga një tërmet shumë i fuqishëm prej 9.1 shkallësh. Rreth 15.900 persona kishin vdekur dhe mbi 2.500 ishin zhdukur.