Gjykata e Dibrës ka kaluar ditën e djeshme për gjykim 4 të pandehurit e dosjes së bujshme “184”. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve, në zgjedhjet lokale për kryebashkiakun e Dibrës, të zhvilluara para 4 vitesh.
Gjykimi i kësaj dosje do të mbetet në Dibër, ndërsa para gjykatës kanë përfunduar qytetarë të thjeshtë. Të gjithë politikanët të cilët kanë qenë në përgjim nuk kanë shkuar në gjykim. Trupa e togave të zeza vendosi që 4 të akuzuarit Nuri Meda, Drini Gjeci, Robert Aga dhe Hasan Hoti të kalojnë për gjykim, ku nga nëntë persona të hetuar, mes të cilëve ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, ka vetëm 4 të pandehur.
Ndërkohë, trupa gjykuese nuk ka pranuar ankimin e palës paditëse për vazhdimin e çështjes ndaj Dionis Imerajt , Korab Lala, Afrim Mikli, Arben Keshi, Bekim Krashi. Në sallë për t’u njohur me vendimin u paraqitën ish-drejtori arsimit Drini Gjeci dhe Nuri Meda, ish-administrator i njësisë administrative Tomin.
I pranishëm në seancën e zhvilluar përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa e cilësoi vendimin si dështim për të dhënë drejtësi. Ai paralajmëroi se ky vendim do të ankimohet dhe se sipas tij është i padrejtë.
“Gjykata rrëzoi ankimin e PD në lidhje me pushimin e pjesshëm të procedimit penal për të hetuarit e tjerë mes tyre kryebashkiakun aktual të Dibrës, Dionis Imeraj, dhe shtetasit Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli. Ne do ta ankimojmë sepse është një vendim i padrejtë, mendojmë se gjykata një gjyqtar që është dhe magjistrat i ri dështoi të japë drejtësi dhe u bë pjesë e një sistemi të vjetër dhe të kalbur të drejtësisë.
Palët që të gjithë palët në sistemin e drejtësisë nxitojnë për ti vënë kapak kësaj historie është dhe më kriminale”, tha përfaqësuesi i PD. Kjo dosje për shit-blerjen e votave në Dibër, u transferua disa herë nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe anasjellas, derisa SPAK e dërgoi atë përfundimisht në Dibër. Zvarritja e hetimit u justifikua herë pas here me numrin e madh të CD-ve të përgjimeve që duheshin transkriptuar.
Kush janë 4 të pandehurit
Listën e të pandehurve e kryeson Robert Aga, ish-shef komisariati i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka vënë uniformat blu në funksion të një subjekti politik, në rastin konkret të mazhorancës socialiste. Një tjetër emër në listë është edhe Drini Gjeci, ish-drejtor i Arsimit, i cili do të përgjigjet para drejtësisë për shpërdorim detyre, pasi kanoste mësuesit se nëse nuk votonin në favor të kandidatit të mbështetur nga mazhoranca, do t’i pushonte këta të fundit nga detyra.
Madje në një rast, sipas asaj që thuhet në dosje ai ka firmosur për shkarkimin e një mësuesi nga puna. Nuri Meda, administrator i Njësisë Administrative Tomin akuzohet për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve. Në kundërshtim me ligjin ai ka dëmtuar interesat e qytetarëve, pasi ka përjashtuar 39 familje nga skema e ndihmës ekonomike, vetëm për shkak të bindjeve politike, pa verifikuar nëse i plotësonin ose jo kriteret për të qenë pjesë e skemës.
Po ashtu, një tjetër i pandehur është edhe Hasan Hoti nga njësia administrative Lurë, i cili akuzohet se ka kanosur zgjedhësit me qëllim që të votonin për kandidatin për kryebashkiak i Aleancës për Shqipërinë Europiane.