Koronavirusi i ka marrë jetën gazetares Zenepe Luka, në moshën 72-vjeçare.
Luka ishte e shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, për shkak të gjendjes së rëndë që i kishte shkaktuar virusi.
Më 6 shkurt ishte edhe postimi i saj i fundit në rrjetet sociale, ku njoftonte se edhe fëmijët rezultuan pozitivë.
“SOT
Eva dhe Redi dalin pozitiv.
Zot jemi në besën tënde. Duhet të rris forcat, që të jap kurojo fëmijve”, ka shkruar Luka.
Pak kohë më parë bashkëshorti i saj kishte mposhtur COVID.
Zenepe Luka është një emër i njohur, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por në të gjithë hapësirën mediatike.
Në vitin 1998, gazetares së njohur iu vu tritol në shtëpi, me qëllimin për t’i asgjësuar familjen.
Dy fëmijët e saj mbetën të plagosur, ndërsa shtëpia iu shkatërrua.
Ajo akuzoi strukturat e PD dhe njerëz të lidhur me Berishën, si të përfshirë në këtë sulm
Kush ishte Zenepe Luka
Zenepe Luka (Çekrezi), lindi në Librazhd, ku mori edhe arësimin tetëvjeçar.
Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua gazetare.
Profesionin e vështirë të gazetares e nisi në revistën “Shqiptarja e Re”, për të vijuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri”, më pas në gazetat e përditshme “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj.
Është e para gazetare e RTSH, në terren, që u vendos në Elbasan duke mbulluar edhe rrethet Gramsh e Librazhd.
Kontribut të veçantë ka dhënë në qytetin e saj të lindjes, ku për shumë vite ka punuar si lektore, hulumtuese në Muzeun Etnografik dhe në të njejtën kohë edhe gazetare e gazetës Bashkimi”.
Nga viti 1994 deri në vitin 2004, ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë” për Vlorën, më pas në gazetat “Ballkan” dhe “Telegraf”.
Së fundit, vazhdonte të punonte të punonte si gazetare e lirë në gazetat “Koha Jonë”.”Dita”,”Shqiptarja.com” dhe organe të tjera në Diasporë.
Në maj të vitit 2020, mbushi 47 vjet karierë si gazetare në terren me 12.000 shkrime të botuara, ku dominojnë zhanret e intervistës, reportazhit, kronikës,etj.
Ajo u nda nga jeta pasditen e sotme pas një beteje të gjatë me Covid-19 të cilën nuk e mposhti dot.