Enkeleida Hoxha u arrestua këtë të enjte me urdhër të Prokurorisë së Posaçme si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe korrupsion në sistemin e drejtësisë.
Dyshimet janë se gjyqtarja e Krujës merrte deri në 12 mijë euro për çdo vendim ulje dënimi, apo lirim nga burgu.
“Klientët” të saj kanë qenë disa emra të njohur të botës së krimit dhe nisur nga numri i vendimeve të tilla që ka dhënë, të paktën që nga 2017 e deri më tani dhe nga këto dyshime të SPAK mund të hamendësohet se Enkeleida Hoxha ka “arkëtuar” qindra-mijëra euro para nga aferat e saj korruptive.
Por, në formularët e deklarimit të pasurisë ndër vite, gjyqtarja e Krujës deklaron deri në 2018 të ardhura vetëm pagën e saj si punonjëse e sistemit të drejtësisë, duke lënë bosh të gjithë sektorët e tjerë.
Hoxha nuk deklaron në emër të saj as shtëpi, as interesa të tjera jashtë profesionit të saj, ndërsa prej 2011 në formularin e deklarimit ka përfshirë kontributin për fëmijën nga Rasim Doda, ish-bashkëshorti i saj.
Doda, që shërbente si gjyqtar në Sarandë, u arrestua në vitin 2015 me akuzën e korrupsionit. Prokuroria e akuzonte se kishte marrë 80 mijë euro për një vendim.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e dënoi në 2016 me 4,6 vite burg, vendim që u rrëzua nga Apeli në 2017-ën që e riktheu çështjen për rigjykim.