Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Kjo dekoratë u dha me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir.
Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse ndaj familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh se Ceka është një nga përfaqësuesit më emblematike të atij brezi, që u quajt i pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste.
“Është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarine shquar, Neritan Ceka.
Duke vlerësuar profesor Cekën synoj t’i transmetoj atij detyrimin e respektin, që ne kemi dhe duhet të kemi për të gjithë ata, që ia kushtuan jetën e tyre konsolidimit dhe përparimit të institucioneve kulturore të vendit tonë por edhe atyre politike.Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematike të atij brezi, që u quajt i pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste.
Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare.Me veprimtarinë e profesor Cekës janë të lidhura krijimi i Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe i kompleksit monumental antik të Selcës së Poshtme, krijimi i muzeve arkeologjike në Apolloni, Fier e Tiranë, ekspozitat ndërkombëtare arkeologjike në Hildesheim, Mynih e Romë, botime të rreth 15 librave e katalogëve mbi arkeologjinë e Shqipërisë, si dhe shumë kontribute të tjera, të vlerësuara, brenda dhe jashtë vendit.
Po aq sa profesion, arkeologjia ka qenë një pasion i ngulitur edhe nga babai i tij, themeluesi i arkeologjisë sonë, profesor Hasan Ceka.Arkeologjia ka qenë profesioni i jetës së tij, që nuk e braktisi dhe e vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Dua të kujtoj me këtë rast kënaqësinë që pata, kur në fund të tetorit të vitit të kaluar, e gjeta profesor Cekën të punonte në gërmimet arkeologjike në Bylis dhe kjo vetëm një muaj pasi kishte kaluar sëmundjen e rëndë Covid-19.
Profesor Neritan Ceka është po aq i njohur edhe si politikan i një lloji të veçantë, si për kontributin e tij të vazhdueshëm në formimin e shtetit demokratik, që nga Lëvizja Demokratike e dhjetorit ‘90, por edhe nga profili i tij i karakterizuar nga serioziteti, ndershmëria dhe përkushtimi qytetar.
Do të mjaftonte vetëm njëri nga aktet e tij, për t’i bërë vend në historinë, po aq epike, sa edhe të turbullt të tri dekadave të fundit.Kujtoj daljen e tij tek Ura e Lanës, për të evituar përplasjen e popullit me Gardën e regjimit, apo hyrjen në mes të rebelimit të Shkollës së Bashkuar, për të kërkuar bindjen e ushtrisë ndaj proceseve demokratike.Profesor Ceka do të kujtohet përherë, në rolin e tij të rëndësishëm, si pjesëmarrës aktiv në formimin e Partisë Demokratike, si partia e parë opozitare si dhe nënkryetar i saj, si deputeti i parë i opozitës, që hyri në parlamentin e parë pluralist, si kryetar i grupit parlamentar të PD më 1991, një nga grupet më mbresëlënëse të deputetëve, për sa i takon cilësisë dhe që na mungojnë edhe në ditët e sotme.
Po ashtu, do të kujtohet si bashkëthemelues i partisë Aleanca Demokratike, si një nga lëvizjet më qytetare dhe europianiste në politikën shqiptare, si ministër i brendshëm i periudhës më të vështirë për rivendosjen e rendit dhe të qetësisë në vitet 1997-1998, por edhe si kryetar i komisionit për Rendin dhe Shërbimin Inteligjent për gati 8 vite.
Profesor Ceka e mbylli këtë pjesë të karrierës së tij në institucione, në postin e ambasadorit në Romë, ku unë kam marrë përshtypjen personale, nga shumë personalitete të larta të shtetit italian, por do të veçoja atë që më kanë mbetur në mendje nga Presidenti i Senatit të asaj kohe, Pietro Grasso, i cili më tha: ‘Ju falënderoj në mënyrë të veçantë, që keni dërguar në Romë një ambasador si Profesor Neritan Ceka’.
Profesor Ceka vazhdon të mbetet një zë shumë aktiv dhe qytetar edhe në këto kohë të vështira për demokracinë shqiptare.Unë uroj që të vazhdojë të japë kontributin e tij të vyer edhe në vitet në vazhdim, siç e ka dhënë deri më sot!
Dhe nuk dyshoj për këtë, pasi dhe forma e tij fizike është e shkëlqyer.Për gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në fushën e arkeologjisë, me zbulimin, ruajtjen dhe promovimin e thesareve tona të rralla, si dhe për kontributet e vyera, si politikan aktiv dhe diplomat, në këtë ditë të 80-vjetorit të lindjes, kam kënaqësinë të vlerësoj Profesor Neritan Ceka me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit.Edhe 100 pranvera të tjera profesor!”