Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha e kishte gati skemën që do të ndiqte edhe kësaj here për të liruar Saimir Petanin, të dënuarin me 25 vite burg për vrasje.
Burimet pohojnë se gjyqtarja Hoxha u arrestua brenda sallës së gjyqit, aty ku do të zhvillohej seanca për lirimin e të burgosurit. Por si do të lirohej Saimir Petani?
10 personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin zhvilluar një skemë e cila është mundur të provohet nga SPAK që bëri arrestimin e tyre paraditen e të enjtes.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha është kontaktuar nga avokati i të burgosurit Saimir Petani, Aldo Tabaku, i cili i ka kërkuar lirimin e Petanit kundrejt një shume parash. Edhe pse ishte prej kohësh në hetim nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Enkelejda Hoxha vazhdoi e qetë punën e saj.
Ajo bashkëpunoi me avokatin, i cili i mundësoi një raport të rremë mjekoligjor të të burgosurit, me ndihmën e ekspertit Shkëlqim Korbi, ku Petani rezultonte me probleme shëndetësore. Ky raport ishte edhe bileta e lirisë për Petanin. 10 të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin do të mundësonin lirimin e Petanit, ndërsa SPAK nuk qëndroi duarkryq.
Prokuroria hetoi dhe mbajti nën vëzhgim Enkelejda Hoxhën, si dhe vuri nën monitorim edhe kompjuterat e gjykatës së Krujës.
Ndërsa pas arrestimit brenda sallës së gjyqit, kontrolle të shumta janë bërë edhe në banesën e gjyqtares Hoxha tek Komuna e Parisit.
Sipas njoftimit të SPAK, është pezulluar nga detyra mjeku kardiokirurg i QSUT-së Edvin Prifti si edhe infermierja e QSUT-së Trendafile Frangu.
Emrat e tyre dolën pas hetimeve për rastin e lirimit të një të dënuari me 25 vite burg në Fushë-Krujë, ngjarje për të cilën u arrestuan 10 persona mes të cilëve edhe gjyqtarja Enkeleda Hoxha si dhe një mjek, Shëlqim Korbi.
Edhe pse Prifti dhe Frangu nuk kishin lidhur me rastin për të cilin u arrestuan funksionarët e drejtësisë dhe eksperti mjeko-ligjor, prokurorët shkuan tek rasti i tyre për shkak të lidhjes me një nga personat e arrestuar gjatë operacionit, sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi.
Kjo e fundit i ka dhënë ryshfet mjekut Edvin Prifti me qëllim që ky i fundit të operonte nënën e saj. Ndërsa infermierja akuzohet se ka ushtruar ndikim “të paligjshëm në funksionarët publikë”.
“Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu edhe se e hetuara Manuela Mallkuçi i ka dhënë drejtpërdrejt përfitim të parregullt shtetasit Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj.
Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe shtetaset Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, të cilat kanë konsumuar elementët e veprave penale ‘Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 245/2 i Kodit Penal.”- thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Manuela Mallkuçi është sekretarja gjyësore që u arrestua mes dhjetë zyrtarëve të tjerë sot në Krujë mbi skemën për lirimin e të dënuarve në burgun e Fushë-Krujës, të cilët përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt.
Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. (Kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave që shkonin nga 6 deri 12 000 euro).
Sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, akuzohet se në një rast ka siguruar që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Enkelda Hoxha.