Lulzim Basha vijon të mbajë në ankth Shpëtim Idrizin për zgjedhjet e 25 prillit. Pas dështimit të tentativës për t’u rikthyer me Partisë Socialiste, dje kreu i çamëve i ka shkuar në zyrë Bashës duke iu lutur për ta futur në listat e kandidatëve të PD.
Sipas burimeve, Idrizi kërkon që vetë të jetë në listë të sigurt në Tiranë bashkë me Mesila Dodën. Ndërsa po ashtu kërkon të ketë përfaqësim edhe në rrethe. Ndryshe nga sa ndodhi me Agron Dukën, Dashamir Shehin dhe Nard Ndokën, dje nuk ka pasur një marrëveshje finale midis PD-PDIU edhe pse Idrizi tha se nuk ka dyshime që PDIU do të jetë në krah të PD, por e pranoi se nuk ka një pakt final.
Ai u shpreh se nuk është përcaktuar ende nga PD nëse PDIU do të futet në lista të sigurta ose të pasigurta, por negociatat vazhdojnë. Idrizi foli mbi ndihmën që PDIU mund t’i japë PD në 5 qarqe në mënyrë që të formohet një mazhorancë sa më solide.
Kreu i PDIU shprehu preferencën e tij për të kandiduar në kryeqytet pasi aty e ka të fokusuar aktivitetin politik. “Janë diskutime që bëhen për të përcaktuar balancat. Nuk ka asnjë dyshim që ne do të jemi në krah të PD dhe do të kemi një marrëveshje, nuk kemi përcaktuar nëse do të futemi në lista të sigurta apo të pasigurta, sigurisht që primati i takon PD-së. Ne kemi vendosur piketat në ato zona ku PDIU ndihmon në fitoren e opozitës.
Do ketë edhe një moment formal të nënshkrimit të një marrëveshje, por e përsëris që nuk bëhet fjalë për vende të sigurta apo të pasigurta, por si ne mund të ndihmojmë të paktën në 5 qarqe, që të ketë një mazhorancë solide. Unë vetë preferoj që të jem në Tiranë. Këtu jam lindur, këtu jam rritur. Aty e kam përqendruar aktivitetin tim politik”, u shpreh Idrizi.
Basha takim me Mediun
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pasur dhe një takim me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Raportet me këtë të fundit duket se nuk kanë dhe aq pozitive këto kohë. Mediu prej kohësh ka kërkuar që pesha e PR të vlerësohet dhe negociatat të jenë transparente me të gjitha palët. Ashtu si me Idrizin, edhe me Mediun Basha ka rënë parimisht dakord që të ketë bashkëpunim, por nuk ka një marrëveshje finale për numrin e emrave të PR në lisat e PD dhe zonat ku do të kandidojnë.
Pak pas mbarimit të takimit me liderin demokrat, kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka dhënë një prononcim për mediat ku la të nënkuptuar se ka një marrëveshje në parim me PD-në. Mediu ka treguar detaje nga biseda me Bashën, ndërsa theksoi se mes palëve ka mirëkuptim për të dalë me lista dhe program të përbashkët, duke shtuar se me rëndësi është përmbysja e regjimit aktual. Sipas tij, ai është i gatshëm që të kandidojë kudo.
“Kemi mirëkuptim për të dalë me lista dhe program të përbashkët. Konkurrimi duhet të përfshijë njerëz dhe partitë politike që të maksimizohet vota e opozitës për të përmbysur këtë regjim të korruptuar. Në analizë se ku janë zonat dhe se si do të funksionojë, është pjesë e diskutimit. E kam thënë, jam i gatshëm që të kandidoj kudo që t’i siguroj një votë opozitës.
S’kemi folur për këtë gjë, por për pozicionin që ka PR në raport me peshë në votën elektorale. Nuk ka mandate PR në lista, por ka kontribute dhe konkurrime. S’ka vende të sigurta. S’mund të ketë vende të sigurta për kërkënd. PR ka peshën e saj elektorale. Ato vota duhet të jenë pozitive për mandate”, tha Mediu pas takimit me Bashën.