Çmimet e karburanteve kanë shënuar për herë të parë rritje që prej nisjes së pandemisë së Covid-19.
Të gjithë pikat e karburantit në kryeqytet dhe qytete të vendit kanë ndryshuar çmimin si për naftën dhe për benzinën, duke i rritur mesatarisht me 8 lekë për litër.
Disa ditë më parë një litër naftë dhe benzinë kushtonin 148 Lekë, ndërsa sot ato shiten me 156 Lekë. Tregtarët e karburanteve e shpjegojnë shtrenjtimin e çmimit me rritjen e lëndës së parë në bursa.
Që prej Nëntorit të vitit të shkuar, çmimi i kësaj lënde në tregjet ndërkombëtare nisi një tendencë rritëse, pas vlerave afër zeros që arriti nafta bruto në fund të muajit prill.
Prej një jave çmimi i naftës është rritur me 16%, nga 50 dollarë për fuçi në 61 dollarë.
Çmimet e naftës në botë u rritën pas vendimit të OPEC për të shkurtuar sasitë e prodhimit të naftës dhe shtimit të kërkesës së vendeve si Kina dhe India për këtë lëndë.
Vitin e shkuar konsumi i karburanteve u ul për shkak të rënies së lëvizjeve globale, por edhe në Shqipëri karantina përgjysmoi disa muaj konsumin e saj.
Sipas indeksit global të çmimit të naftës, Shqipëria renditet në vendin e 17-të në botë për çmimin më të lartë, duke lënë Gjermaninë, Greqinë, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit.