Ish-ministri dhe drejtori i Kabinetit në Presidencë, Edmond Panariti shprehet se duhet shpallur sa më parë futjen në Shqipëri të variantit më ngjitës dhe më agresiv i virusit korona, i ashtuquajtur varianti Britanik. Ai shkruan se fakti që virusin e ri nuk e zbulon dhe nuk e deklaron nuk do të thotë se ai nuk ekziston.
“Ngaqë variantin e ri të virusit nuk e zbulon dhe nuk e deklaron, kjo nuk do të thotë se ai nuk ekziston! Ky nuk është më një dyshim i arsyeshëm, por një fakt kokëfortë!
Sa më parë duhet shpallur se varianti më ngjitës dhe më agresiv i virusit korona, i ashtuquajtur varianti Britanik, është mes nesh dhe po infekton dhe sëmur në masë popullatën.
Këtë tashmë ta kanë zbuluar dhe konfirmuar të tjerët, prandaj nuk ka më dyshim që ai po na infekton rreth 70 % më shpejt dhe po na dëmton reth 30 % më shumë se varianti fillestar.
Fakti që ti virusin e ri nuk e zbulon dhe nuk e deklaron nuk do të thotë se ai nuk ekziston.
Dëmet që po na shkakton në shëndetin publik janë të mëdha, por masat parandaluese dhe trajtuese të tij çuditërisht janë më poshtë se kur kishin 40 herë më pak raste në ditë të infektuar.
Kjo është e rrezikshme! Kjo ka kosto të lartë njerëzore! Dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit dhe zbutur pasojat. Nuk duhet lejuar që situata të rrëshqasë në katastrofë epidemiologjike.
Duhen trajtuar me protokoll dhe paketë të plotë medikamenoze të sëmurët që në shfaqjen e parë të shënjave të sëmundjes në shtëpi.
Të Shpërndahet derë më derë, një fletë udhëzimi se si duhet vepruar që në fillim të shfaqjes së shenjave.
Të informohen qytetarët kur dhe si të kërkohet ndihmë.
Të aktivizohen spitalet rajonalë për të pritur të sëmurët dhe të pajisen me aparate dhe barna jetëshpëtuese.
Oksigjeni të mos mungojë as nëpër shtëpi dhe as në spitale..
Kur, ku dhe si do të vaksinohemi mbetet një enigmë!
Jemi në syrin e ciklonit infektiv. Jemi në kulmin e rrezikut, ndryshe nga fqinjët dhe Evropa e cila po e frenon përhapjen”, shkruan Panariti.