Pak ditë më parë, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, u takua në Presidencë Ilir Metën, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.
Takimi nuk kishte të bënte me aktualitetin politik në Shqipëri, por është zhvilluar për të folur për një stërvitje të madhe ushtarake që do të mbahet në Shqipëri, ku do të zbarkojnë 6 mijë trupa amerikane.
Kaq!
Takimi ishte i hapur dhe në fund, Meta dhe Yuri Kim lëshuan një deklaratë, ku tregonin përse u mbajt takimi, pra për stërvitjen që do të bëhet në Shqipëri.
Por, Lulzim Basha, që çuditërisht nuk është përmendur fare nga ambasadorja e SHBA dhe që nuk dihet kush e ftoi në këtë takim, Ilir Meta apo Yuri Kim, në njoftimin e lëshuar për këtë takim, po e shet atë në media, sikur ky qenka takuar me Yuri Kim.
Vetë Kim s’e përmendi fare se është takuar me Bashën.
“Dua të falënderoj presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe ministrin Peleshi për pritjen e tyre sot. Patëm një diskutim të shkëlqyer mbi mënyrën se si mund të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin tonë nëpërmjet stërvitjeve të ardhshme ushtarake të SHBA, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare” thuhet në njoftimim e Yuri Kim, pas takimit që u mbajt në Presidencë.
Prej disa ditësh, Basha është duke e sponsorizuar atë në rrjetet sociale me një foto të shkrepur në korridorin e Presidencës, ku ndër të tjera, merr edhe meritat për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Gjë që në fakt, dihet se nuk është e vërtetë, pasi vitin kur Shqipëria u anëtarësua në NATO ndodhi Gërdeci dhe po të mos ishte për këmbënguljen e Amerikës, kjo gjë me siguri nuk do të kishte ndodhur.
“Takim i shkëlqyer sot me USAmbAlbania Yuri Kim gjatë sesionit të KSK. Jam më krenar se kurrë për rolin tim për ta anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Aleanca strategjike dhe miqësia e ngushtë midis 🇦🇱& 🇺🇸 është jetike për sigurinë dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe unë synoj ta çoj atë në nivele të reja”, shkruan Basha.
Por pse ka marrë zemër Lulzim Basha dhe po përpiqet ta shesë veten si “bashkëpunëtor” i SHBA-së?
Gjithçka ndodhi pas disa replikave në distancë mes Edi Ramës dhe ambasadores amerikane, për çështjen e kandidatëve problematikë në listat për deputetë të zgjedhjeve të 25 prillit.
Replika që zgjatën disa dita dhe bënë që gjithë opozita dhe mediat e saj të ekzaltohen, duke deklaruar se Rama është armik i SHBA dhe BE-së, dhe kur të vijë Basha në pushtet, do të na pajtojë me Uashingtonin dhe Brukselin.
Janë të kompleksuar në këtë pikë në fakt, me në krye pikërisht Lulzim Bashën, pasi prej disa vitesh ata identifikohen si kundërshtarë të Perëndimit në Tiranë.
Janë përmendur edhe me emër dhe mbiemër madje, në rastin e reformës në drejtësi.
Dhe për këtë arsye, menduan se tashmë nuk janë më ata “delja e zezë” e Perëndimit, por Edi Rama.
Vetëm se fushata e nisur me shumë entizuasëm iu dështoi, pasi pas replikave, Yuri Kim u shfaq krah Edi Ramës, në një inagurim, që opozita e cilësoi si një inagurim elektoral dhe drejtues të lartë të LSI sulmuan ambasadoren amerikane, se po përfshihet në fushatën elektorale.
Normalisht prania e ambasadores amerikane në një inagurim ku SHBA nuk ka investuar, u duk i çuditshëm.
Nuk dihet nëse ishte një mesazh për opozitën, se ajo nuk është “prishur” me Ramën.
Por pavarësisht kësaj, Lulzim Basha vazhdon të “ëndërrojë” se është njeriu që do të na “pajtojë” me SHBA, ndërkohë që gjithë këto vite, veç e kanë përmend me emër e mbiemër, si një pengesë e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA./TemA