Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të nisin hetimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale Rama deklaroi se janë të shumtë ata që abuzojnë duke e ditur që do të ngelin në veting.
Po ashtu ai i dërgoi një mesazh SPAK ku kërkoi hetim për të ngelurit në veting. Ai përdori një gjuhë të ashpër kur foli për pastrimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa theksoi se sistemi ende është i papastruar. Ai vijoi më tej duke thënë se duhet të nisë edhe ndëshkimi për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ndërsa u shpreh se ata duhet të përballen me ligjin.
“Çdo ditë kryhen krime nga gjykatës që e dinë që nuk e kalojnë vetingun dhe e dinë se do i shpëtojnë drejtësisë sidoqoftë, se, ose nuk do futen në veting, ose do digjen nga ai. Sistemi nuk është ende i pastruar. SPAK ka filluar të strukturojë punën e tyre, çfarë duhet të presësh mrekulli sa hap e mbyll sytë.
Drejtësia e re do të funksionojë ashtu siç e duam të gjithë dhe do të jetë e prekshme përtej atyre gjërave që po ndodhin ndërkohë. Pas pastrimit, të fillojë goditja e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ku kanë dalë llum nga sistemi drejtësie. Duhet t’i thërrasë drejtësia dhe t’i vendosë para ligjit”, tha Edi Rama.
Rama akuza opozitës
Kryeministri Edi Rama sulmoi dhe kreun e PD Lulzim Basha, duke iu referuar premtimit të këtij të fundit se do të ulë sigurimet shoqërore dhe do të rrisë pensionet. Rama u shpreh se pensionet financohen nga sigurimet shoqërore dhe se logjika e Bashës është t’u bjeri shkurt gjërave ashtu siç PD u ka rënë shkurt sa herë ka pasur pushtetin në dorë. “Do të ulim sigurimet shoqërore dhe do të rrisim pensionet, thotë miku im i fjetur, Lulzim Basha. Pensionet financohen nga sigurimet shoqërore dhe sot Shqipëria ka ende një deficit të trashëguar, sepse paguan më shumë pensione, se sa ka.
Nëse do të ishin bërë këto 27 vite më parë sot të flisnim për gjëra të tjera, herë me Suden herë me Saliun i kanë rënë shkurt dhe ka më shkurt se sa me Lulin dhe prandaj po iu del gjatë. Nëse kanë zgjedhur rrugën e tyre të gjatë për t’i rënë shkurt, nuk mund t’ia bëjnë rrugën e gjatë Shqipërisë”, tha Rama.
Vlerësimet e ndërkombëtarëve
Kryeministri Rama po ashtu ka komentuar edhe disa prej vlerësimeve të organizmave ndërkombëtare për Shqipërinë. Një ndër to është raporti i “The Economist” për rritjen e indeksit të demokracisë në vend. Kreu i qeverisë u shpreh se një prej arsyeve kryesore që solli këtë projekt është reforma elektorale e realizuar në 2020-n, pavarësisht se ajo ka qenë e kontestuar nga aktorët politikë të brendshëm.
Ai thotë se për këtë ngjitje vlerësohet qeveria shqiptare, për reformat demokratizuese, veçanërisht për reformën elektorale që është arsye kryesore sipas kryeministrit. “Deri në 2013 trendi i vlerësimit të indeksit të demokracisë ka rënë ndjeshëm. Pas 2013-ës është rritur. Është një vlerësim që shënon arritjen më të lartë të indeksit të demokracisë. Sjellë kalimin në një kategori tjetër.
Shqipëria renditet në kategorinë e një demokracie të mirë. Duke qenë se vijmë nga më poshtë, vlerësimi i indeksit na bën që të kemi rritje. Në një kohë që shumë vende të tjera kanë përkeqësim gjatë pandemisë. Akoma më e bukur për të bërë një vlerësim me ndihmën e një arbitri objektiv siç është “The Economist” dhe për të bërë kontrastit mes mjegullës që krijohet nga tymi dhe nga balta, vlerësohet qeveria për reformat demokratizuese, dhe reforma elektorale”, tha Rama.