Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka marrë një tjetër goditje të rëndë ditën e sotme, pasi i është larguar një nga figurat më të rëndësishme në radhët e LSI-së.
Bëhet me dije se ish ministri i saj i Infrastrukturës, Sokol Dervishi nuk do jetë më pjesë e LSI. Kjo u bë e ditur nga një tjetër i larguar nga LSI, Gledion Rehovica, i cili iu bashkua PS-së pak ditë më parë.
Rehovica tha se nga LSI është larguar ish ministri i Transportit dhe Infrastrukturës , Sokol Dervishi por që ende nuk e ka bërë publike. Në një intervistë për Vizion Plus, Rahovica tha se PS ka të sigurta 5 mandate në Berat dhe po përgatitet për të 6-in.
Rehovica u shpreh se nuk ka patur kontakte me Ramën para se të largohej nga LSI.
“Kontaktet kanë ardhur pas shkëputjes nga LSI dhe madje unë kam ndenjur me kryeministrin vetëm para një jave gjatë një vizite të tij në Berat. Herë tjetër kam pasur thjeshtë përshëndetje.
Nuk më është kursyer respekti nga të dyja palët, por më shumë kam patur informacion nga ministra ose ish-ministra të LSI-së, gjatë periudhës që kam qenë në qeverisje me PS-në, ku ankoheshin për ato që i kërkonin nga LSI dhe ato që i detyroi t’i thoshte Rama. Unë Edi Ramës nuk i kam kërkuar asgjë. Nuk di për ish-ministrin e Infrastrukturës, z. Dervishi, është larguar, pavarësisht se nuk është bërë publike, nuk e di të jetë akuzuar për korrupsion. E shumë e shumë figura të tjera. Dua të flas për qarkun e Beratit që sot, psh. në, Partia Socialiste ka të sigurte mandatin e 5-të dhe është duke luftuar për të 6-in. Ky është realiteti në qarkun e Beratit sot”, tha Rahovica.