Ditën e sotme kryeministri i vendit, Edi Rama, bashkë me ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetj, ka mbajtur një konferencë me gazetarët për programin e Rindërtimit.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka goditur fort opozitën. Kryeministri tha se kishte pasur një projekt me Lulzim Bashën të çonte për “skrap” Lëvizjen Socialiste për Integrim, por sipas tij, kreu PD e tradhtoi.
“Basha ishte ai që e ndau me demokratët domsdoshmërinë për ta çuar LSI për skrap! U betua që s’do ketë më matrapazllëqe me LSI, shpk e ku di unë çfarë.
Sot është thjesht një aksioner në shpk e katër ortakëve, ku ai është ortak në minorancë në fakt, se kryesorët janë Saliu dhe Ilir Meta”, tha Rama.
Pyetje: Në 2017 ju ndërtuar një fushatë të gjerë me moton kryesore për të çuar LSI për skrap. Ndërkohë së fundmi, disa figura të LSI i keni pranuar në partinë tuaj, mes tyre dy ministra të rëndësishëm e jetë gjatë si Lefter Koka e Nasip Naço. Çfarë po ndodh?! Se këta njerëz ju i quani abuziv kur janë pranë Kryemadhit e Metës? E kur vijnë pranë jush i aktivizoni vetitë e mira? Si ndodh ky ndryshim perceptimi për individët?
Rama: Ke dëgjuar ti ndonjëherë që të flas për këta njerëz si abuziv?
Pyetje: Ishin pjesë e tepsisë?
Rama: Ou?
Pyetje: Nëse ishin ministra që qeverisnin me ju e për atë parti, nëse e kemi kuptuar gabim, unë tërhiqem.
Rama: Ti duhet të tërhiqesh duke pranuar ti gabimin, sepse çuarja për skrap e LSI, praktikisht një projekt i përbashkët me Lulzim Bashën por i tradhëtuar nga Lulzim Basha, se unë nuk e kam tradhëtuar, vazhdoj të besoj tek ai projekt.
Basha ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI për skrap. U betua që s’do ketë më matrapazllëqe me LSI, shpk e ku di unë çfarë. Sot është thjesht një aksioner në shpk e katër ortakëve, ku ai është ortak në minorancë në fakt se kryesorët janë Saliu dhe Ilir Meta.
Kështu që e ke impostuar gabim atë opinionin që dhe. LSI është projekt që duhet zhbërë, këtu s’është çështje personazhesh. Unë besoj e besoj gjithmonë që s’janë njerëzit që korruptojnë sistemet por sistemet njerëzit, e të njëjtët njerëz në sisteme të ndryshme sillen ndryshe, keni prova plot. Unë besoj që LSI është një sistem që duhet çmontuar komplet! Unë kështu besoj kam besuar dhe besoj.