I pranishëm në Korçë, në një bashkëbisedim me qytetarët, ndërsa foli edhe për tregtimin e mishit, Rama nuk la pa shigjetuar edhe BE.
Ai u shpreh se në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por shtoi se nuk “jemi të detyruar” të presim domosdoshmërish tregun e BE.
Rama theksoi se ka tregje më të mëdha në lindje, duke përmendur edhe Turqinë.
“Shumë gjëra që i kemi bërë ne në këto 7 vite, duheshin bërë 17 vite më parë, dhe nuk do të ishim në këtë fazë, por nuk ka një rrugë për t’i rënë shkurt.
Madje, rruga për t’i rënë shkurt është tentuar disa herë dhe ka dalë më gjatë. Është njësoj si skemat piramidale.
Ndaj na duhet një durim i madh për të kuptuar që proceset e shtetbërjes në të gjitha hallkat dhe ngritjes së zinxhirit të institucioneve, që të bëjnë punën e tyre, janë procese që kërkojnë kohën e tyre.
Në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera.
Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje.
Kështu që, besoj se ka shumë hapësirë, që puna juaj në këtë sektor, të jetë një revolucion. Janë ndërtuar shembujt që tregojnë se nëse bën gjërat e duhura këtu bën sukses, si një aktor në një treg të madh. Nëse pret që shteti t’i bëjë të gjitha, nuk bën dot sukses, ka marrë fund”, tha Rama.